Nëse qëllimi i Belind Këllicit ishte që të zinte faqet e para të mediave online apo edhe fokusin kryesor të bisedave të kafeneve me posterin e tij që i tregonte gishtin e mesit korrupsionit, këtë gjë pa dyshim ia arriti, sepse në fund të fundit, në rregullat e marketingut thuhet se “nuk ka reklamë të keqe”, për aq kohë sa të gjithë “po flasin për ty”.
Mirëpo, pa hyrë në diskutime nëse gjesti ishte i duhur apo jo, i hijshëm apo i pahijshëm, ajo që tërhoqi vëmendjen ishte reagimi hipokrit i disa institucioneve të ashtuquajtura institucione të pavarura, që e treguan se vetëm të pavarura nuk janë, të cilat po jua listojmë më poshtë.
Reagimi i parë erdhi nga një faqe në rrjetin social Facebook të quajtur Xhamitë e Tiranës. Çfarë përfaqëson kjo faqe, që në disa media (krah qeverisë) e përcollën te lexuesi si reagim të besimtarëve mysliman? Asgjë! Mjafton për ta klikuar këtë faqe që në dijeninë tonë menaxhohet nga hoxha Ahmed Kalaja, me lidhje farefisnore të afërta me një prej deputetëve socialist, për të kuptuar që nuk flet në emër të qindra mijëra besimtarëve mysliman. Kjo për shkak se përgjatë Muajit të Ramazanit s’ka bërë asnjë reagim për Iftaret që u shtruan nga politika apo për kandidatët që mbajtën ligjëratë në vend të imamit në Kavajë. A nuk është kjo një përdhosje të besimit mysliman dhe pse nuk pati reagim po kaq të ashpër?
Reagimi tjetër edhe nga Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë, e cila në deklaratën e saj “urgjente” tha se “fëmijët nuk kanë nevojë për shembuj banalitetesh, prandaj nuk mund të jetë e pranueshme normalizimi i banaliteteve në hapësirat publike të qytetit tonë, aq më tepër nga dikush që dëshiron të jetë qytetari i parë i tij”. Lidhja e saj me politikën? Në radhët e socialistëve është edhe një pastor siç është Toni Gogu, që Hajredin Pashën e dinte heroin e Dibranëve. Kjo thotë shumë.
Mirëpo, reagimet nuk u ndalën këtu. Edhe ish-myftiu i Tiranës, Ylli Gurra nxitoi të dënonte gjestin e kandidatit të dyshes Berisha-Meta, Belind Këlliçi. “Është qesharake, fyese, ofenduese për qytetarët të mund të mendosh se korrupsioni u parandaloka, apo zhduket si fenomen shoqëror me një gjest të tillë, aqytetar, acivilizues dhe akulturor”, thoshte Ylli Gurra.
Reagime për posterin pati edhe nga “Aleanca kundër Gjuhës së Urrejtjes”, pjesë e së cilës janë Avokati i Popullit, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Autoriteti i Mediave Audiovizive dhe Këshillit Shqiptar i Medias. Pra një mori “institucionesh” që u shqetësuan nga ky poster.
Ajo që të bën më shumë përshtypje është se si asnjë nga këto institucione nuk ka reaguar kur vetë Erion Veliaj apo Edi Rama po përdorin fëmijë për fushatën e tyre elektorale? A ishte mesazhi i Belind Këlliçit një mesazh i keq për fëmijët që e shohin në rrugë, mirëpo çfarë mesazhi duhet të marrin kur kjo dyshe mban në krah në çdo takim një fëmijë të ndryshëm, që e puthin në ballë dhe janë aty ku do duhet të dëgjojnë fjalime për “zorrën qorre”, “noc rrokun” apo epitete të tjera që socialistët përdorin kundër kundërshtarëve të tyre?
Pse nuk reagojnë, kur nxënësit nxirren nga ora e mësimit për t’i vendosur si “aksesorë” në takimet e tyre të fushatës? A nuk janë këto dhe shumë të tjera arsye që institucionet të mos heshtin, por të reagojnë? Nëse zgjidhni rrugën e heshtjen, shkojini deri në fund, mos bëni dredhira sipas interesave…sepse në fund të fundit në një sistem të ashtuquajtur demokraci, ka vetëm një mjet që të ndëshkon ose të vlerëson, dhe ajo është vota e jo propaganda. Bruna.K