Ditën e djeshme u mbajt një ndër protestat më të mëdha të thirrura nga opozita në dy vitet e fundit. Duket sikur u ndez pak fitili për të protestuar për 1001 padrejtësi dhe gjëra që nuk po shkojnë mirë në këto 12 vitet e fundit. Mijëra qytetarë u mblodhën përpara Kryeministrisë dhe dukej se reagimi i tyre është një kambanë alarmi për qeverinë e cila duhet të ndalojë së shikuari popullin si dele dhe të mos e bëjë më dirigjentin e një populli shumë të zgjuar por fatkeqësisht pa memorie.
Ka 1001 arsye për të protestuar në këtë vend, duke nisur nga çmimi i bukës, ushqimeve, naftës, për pagat, pensionet, për korrupsionin, për rrjepjen që po u bëhet qytetarëve me PPP, për fonde që s’dihet nga vijnë dhe ku ikin, për infrastrukturën, shëndetësinë, arsimin, fermerët, studentët dhe shumë e shumë gjëra të tjera që në dukje mund të duken dytësore, por lidhen drejtpërdrejt me jetën e të gjithëve ne.
Pjesa më e vështirë vjen nga sot e tutje, a do të arrijë opozita të mbajë ndezur flakën brenda ‘të zhgënjyerve’? Flakën për t’i thënë jo një sistemi që në rrugë, në kafe dhe në shtëpi vetëm e shajnë dhe kur vjen puna për t’u ngritur, justifikohen me fjalinë: ‘S’më ka prekur mua’!
Protesta e djeshme ishte shumë e bukur për t’u parë, imagjinoni vetëm një moment sa bukur do ishte që të gjithë ju që po e lexoni këtë shkrim, të keni dëshirën e madhe të ngriheni në protestën e ardhshme për atë që nuk ju pëlqen. Tek ne ekziston mendësia e keqe që kur dilet në protestë detyrimisht je me një parti të caktuar politike, por jo. Protestat nuk kanë ngjyrë dhe anë politike. Nëse dikush proteston e bën për fëmijët e tij, familjen dhe të ardhmen e vetë, asgjë më shumë…/ Klara Murra