Rasti i mjekut kardiolog, i cili kishte marrëdhënie me një të mitur 16-vjeçare ndërkohë që ishte i martuar me një grua dhe kishte edhe 2 bashkëjetesa të tjera paralele, kanë bërë që ligjvënësit të reflektojnë në lidhje me konceptin e martesës dhe bashkëjetesës. Së fundmi, përveç mjekut, ka pasur edhe shumë raste të tjera ku vajza dhe gra i kanë dhënë fund jetës pasi kanë kuptuar që bashkëshorti i tradhtonte dhe kishte lidhje paralele.
Ndryshimet që pritet të ndodhin në Kodin Penal, kanë ngritur diskutime të shumta, sidomos nga gjinia mashkullore.
1.Mbajtja e dy ose më shumë martesash në të njëjtën kohë, apo bashkëjetesa me një apo më shumë partnerë/e në te njëjtën kohë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
2.Nëse bigamia vazhdon pas dënimit të parë, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet.
Ndryshe nga çfarë është konceptuar në publik, ky ligj pritet të jetë në fuqi edhe për gratë që tradhtojnë bashkëshortët, por në Shqipëri raste mediatike ku burrat kanë vrarë veten se janë tradhtuar nga gratë, janë inekzistente, e kësisoj ‘në shënjestër’ janë vetëm djemtë dhe burrat.
Por si çdo projektligj dhe ligj tjetër në Shqipëri, miratohet pa u konsultuar dhe pa u ulur në rrafshin praktik. Për ta marrë nga ana praktike, duhet të merret parasysh se shumica e djemve dhe burrave shqiptarë kanë tradhtuar të paktën një herë në jetën e tyre dhe për nga natyra ‘janë qejflinj’.
Së pari, duhet të merret parasysh se nëse do të nis burgosja për tradhti, a kanë kapacitetet e duhura burgjet në Shqipëri? Së dyti, a është normale që taksat e qytetarëve të shkojnë për të ushqyer disa persona që nuk kontrollojnë dot veten e tyre për hir të hormoneve? Së treti, këto taksa që do shkojnë për ushqimin e tyre në burgje, a s’mund të shkojnë për rritjen e pensioneve, ndërtimin e shkollave, për infrastrukturën, apo s’kemi nevojë?
Së katërti, a ka logjikë që dikujt t’i hapet një dosje penale se ka tradhtuar, duke ju hequr e drejta të aplikojë për funksione të ndryshme në administratë si dhe funksione publike? Së pesti, efektivët e OPGJ-së, do të merren me grumbullimin e të dhënave dhe provave për të vërtetuar tradhtinë e burrave shqiptarë, kur mund të ketë gjëra shumë më të rënda ky vend për të zgjidhur. Policia të arrestojë ata që dhunojnë dhe jo ata që tradhtojnë, sepse ne si popull nuk e kemi arritur ende atë stad jetese dhe mendësie.
Përveç pjesës logjistike dhe praktike, duhet marrë parasysh edhe pjesa morale. Arrestimi i babait për tradhtinë ndaj të ëmës, mund të shkaktojë një traumë tek fëmijët të cilët mund të bëhen objekt bullizimi në shkollë apo edhe në lagje.
Në ligj do të theksohet se arrestimet do të bëhen në bazë të denoncimeve që do të bëjnë persona të ndryshëm, kësisoj do futën në sherr miq e shokë, sepse mund të dyshojnë tek njëri-tjetri se kush e kush mund ta ketë bërë denoncimin. Një pjesë tjetër që ligji duhet të marrë parasysh është edhe pjesa e ndjenjave dhe ndjesive. Askush nuk mund të dënohet se dashuron, si në marrëdhënie ashtu edhe jashtë saj. Është gjë tjetër ana morale, që çdokush, si mashkulli e si femër duhet të respektojnë atë që kanë në krah dhe këtë gjë nuk mendoj se duhet ta ndajë ligji me thikë. Një çift mund ta ketë konsumuar marrëdhënien e tyre por rrinë bashkë për hir të fëmijëve, pronave, pasurisë dhe shumë gjëra të tilla, po në këtë rast, çfarë parashikon ligji?
Ligjvënësit të kishin pyetur njëherë si bëhen këto punë, se do shkaktojnë kaos nëpër familjet shqiptare dhe kaos nëpër burgjet e vendit, s’do dallojmë dot vrasësit nga tradhtarët.
Di vetëm një gjë në të gjithë këtë histori, burrat shqiptarë do i kap paranoja dhe do t’i ruhen edhe vetes së tyre se mos përfundojnë pas hekurave për shkak të mospërmbajtjes…/ Klara Murra