Sot mjafton të dalësh në rrugët kryesore të qyteteve dhe do të shohësh çifte të dashuruarish, të kapur përdore dhe të qeshur me njëri-tjetrin. Sa bukur do ishte që të ishin çdo ditë të vitit kështu! Por fatkeqësisht kjo xhiro e çifteve dhe kjo festë, për gati 80% e të dashurave është vetëm fasadë. Të dalin që të bëjnë foto për Instagram, të dalin se i shikon komshija, kushërinjtë, të afërmit. Fatkeqësisht shumica e shqiptarëve nuk e kanë kuptuar që dashuria nuk janë dhuratat, drekat e darkat, dashuria shprehet çdo ditë me gjeste të vogla dhe përkujdesje të vazhdueshme ndaj partnerit dhe partneres.
Festë është kur i qëndron besnik lidhjes dhe marrëdhënies që ke, kur e ndihmon partneren në punët e shtëpisë, kur kujdesesh për fëmijët në çdo orë të ditës. Dashuria shprehet duke mos ngritur zërin, duke punuar e duke sakrifikuar për familjen.
Nuk është dashuri një tufë me lule më 14 shkurt, është dërgimi i tek një luleje në një ditë normale në 365 ditët e gjata të vitit.
Boll ka ky vend gjëra vetëm për sy e faqe, të paktën dashurinë për gjysmën tuaj më të mirë, mos e bastardoni duke e bërë sa për t’u dukur. Më mirë një grua e respektuar modestisht përditë, sesa një grua e mbivlerësuar një ditë të vitit./ Klara Murra