Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ditën e djeshme certifikoi rezultatin e zgjedhjeve për kryetar bashkie dhe këshillin bashkiak në qytetin e Tiranës dhe Erion Veliaj u konfirmua zyrtarisht fitues i zgjedhjeve.
Ky është një lajm i mirë për qytetarët e kryeqytetit pasi edhe në 4 vitet e ardhshme do ta shohin Tiranën të lulëzojë. Qytetarët e ‘Kryeqytetit të Rinisë’, ku shumica janë moshë e tretë, i dhanë Veliajt 158.688 vota ose përkthyer ndryshe në 54.69% dhe një diferencë me 58 mijë vota nga Belind Këlliçin, kandidat i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’.
158.688 persona e kanë ditur qartë se Erion Veliaj është drejtimi i duhur dhe se vetëm me të Tirana do të shkojë përpara.
Edhe pse qytetarët nuk kanë parë asnjë program të shpalosur nga 13 prilli deri më 13 maj, (pak a shumë si mbreti lakuriq në mes të qytetit) ata e dinë mirë që në 4 vitet e ardhshme do të shtohen parqet për fëmijë, do shtohen ambientet e gjelbërta mes pallateve shumëkatëshe në mënyrë që qyteti të shmang smogun e lartë dhe fëmijët e tyre të jetojnë të shëndetshëm.
Do të vijojnë të shtohen çerdhet, kopshtet dhe shkollat, edhe pse janë ndërtuar mjaftueshëm dhe tani sfida më e madhe është t’i mbushin ato me fëmijë, duke qenë se shumë prej këtyre të fundit po largohen me familjen e tyre jashtë Shqipërisë.
Rrugët të cilat janë asfaltuar disa ditë përpara zgjedhjeve, do të prishen sërish dhe do të bëhen me standarde europiane sepse qytetarët e dinë mirë se ato rrugë që u shtruan me paratë e tyre nuk janë të denja për ta, ndaj dhe do e kuptojnë dhe e mirëkuptojnë drejtuesin e tyre nëse do t’ju duhet të devijojnë disa rrugë të qytetit, sepse do shohin tabelat ‘Këtu punohet’.
Vetë kryetari i pëlqyer i bashkisë së Tiranës e ka konfirmuar se është një fans i ndërtesave të larta sepse vetëm kështu qyteti që ai drejton do të duket me europian. Ky ‘premtim’ do të mbahet dhe qytetarët e dinë këtë gjë më së miri, edhe pse s’do t’jua ‘rrahi’ më dielli ballkonin e shtëpisë, kjo është më e mira për vendin.
Mbeturinat nuk do të mblidhen më në mes të ditës por në darkë, ku nuk shkaktojnë trafik dhe nuk kundërmojnë të gjithë kalimtarët.
Patjetër që kryetari do të bëj diçka për të përmirësuar trafikun i cili na merr orë e orë të tëra gjatë një viti duke pritur, duke sharë dhe duke mallkuar Tiranën, tashmë çdo gjë do të jetë më mirë. Do të ecim nëpër rrugë sikur të jemi ambasadorë, ministra dhe deputetë që kur kalojnë me eskortat e tyre paralizojnë të gjithë kryeqytetin.
Familjarët përveç parave që morën gjatë fushatës, do të vijojnë të marrin asistenca dhe ndihma ekonomike 3-4 fish më të larta, rroga me standarde si fqinjët ose më shumë. Nxënësit dhe studentët do të vijojnë të marrin bursa dhe mbështetje nga bashkia, sepse vetë kryetari ju ka bërë thirrje më të mirëve që të qëndrojnë në Tiranë sepse një ditë do të shpërblehen (shpresojmë brenda këtij mandati).
Në dy mandate u bënë shumë gjëra të mira për kryeqytetin por gjithsesi ishin disa vite për t’u ‘nxehur’, tek mandati që sapo kryetari mori, i treti, do të jetë ai i vërteti. Qytetarët e dinë se 10 projektet e mëposhtme do t’ju ndryshojnë jetën dhe do t’i ndihmojnë familjet e tyre nga ana financiare.
- Teatri Kombëtar
- Stadiumi i ri “Selman Stërmasi”
- Një Muze i Artit Modern
- Kampusi i ri Universitar
- Zona e Lirë e Zhvillimit Ekonomik të Tiranës
- Qendra e re e Konventave
- Qendra e Panaireve
- Muzeu i Tiranës
- Kopshti Botanik
- Pallati i Ri i Sportit “Asllan Rusi”
Duke parë përkrahjen e madhe që kryetari ka në Tiranë shumë shpejt mund të jetë edhe i pari i vendit pa asnjë mëdyshje. Por siç e ka thënë edhe kryeministri aktual Edi Rama: ‘Paç fatin e Lali Erit’!/ Klara Murra