Dhuna ndaj grave është një fenomen që shoqërinë tonë e ka shoqëruar dhe po e shoqëron dita-ditës, edhe pse shpesh ka pasur fushata (ndoshta jo të mjaftueshme), për të ndërgjegjësuar shoqërinë.
Media është një mjet komunikimi që më së miri mund të shërbejë si çelës i ndërgjegjësimit, pasi transmetuesit qoftë televizivë apo edhe portale web-i, ndiqen masivisht nga audienca. Pjesa më e madhe i referohen talk show-ve apo reality show-ve (entertainment), programe argëtuese, por njëherazi edhe edukative të cilat duhet t’i shërbejnë masës edhe si ndërgjegjësim.
Nëse marrim si shembull “Big Brother Vip Albania”, në thelb, është një eksperiment social ku disa persona bëhen pjesë e shtëpisë si banorë, për të jetuar 24/7 me njëri-tjetrin për 90 ose më shumë ditë, pa pasur akses me botën jashtë. Pak a shumë, BBV është një lojë karakteresh, nervash, gjykimesh e paragjykimesh, që mbi të gjitha duhet të ruajë humanizmin.
Mirëpo, sa vlera po përçojnë të ashtuquajturit “VIP-a” në BBVA?
Ish-futbollisti i Kombëtares, Klodian Duro, i cili u bë pjesë e BBV një javë më parë, është skualifikuar nga gara për shkak të një deklarate skandaloze që bëri nën efektin e alkoolit. Duro, i përfolur në media për dhunën ndaj gruas dhe akuzave të ngritura ndaj tij për përndjekje, “kërcënoi” banorët se kur kishte rrahur gruan e tij, nuk pyeste për konkurrentët.
“Ruhuni nga mua se unë kur kam rrahur gruan time, e di si më dukeni ju apo jo? Ruhuni”, ka qenë deklarata e Duros që i kushtoi atij rrugëtimin në BBV.
Një ish-figurë e njohur që mburret me krenari para një televizioni kombëtar, në një ndër reality show-t më të ndjekur nga shqiptarët, se ka dhunuar ish-bashkëshorten e tij. Audienca nuk e priti mirë deklaratën e Duros, pasi në rrjet vërshuan një sërë reagimesh që e kritikonin për deklaratën skandaloze.
Por pikëpyetja që ngrihet është se si produksioni arriti të bëjë pjesë të shtëpisë së BBV, një person që është dënuar me vendim gjykate për dhunën ndaj ish-bashkëshortes. 4 vite më parë ndaj Duros u vendos 6 muaj burg për veprat penale “Dhuna në familje”, “Përndjekja” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimet e gjykatës”. Por, me gjykim të shkurtuar ai qëndroi në qeli vetëm 4 muaj.
A duhej produksioni të lejonte promovimin e dhunës në televizion? Sigurisht që jo. Media së pari, duhet të jetë e kujdesshme në mesazhet që përcjell sepse të promovosh dhunën, qoftë me deklarata të bëra nga një person i dehur, nuk është mesazh që i shërben audiencës që e ndjek. Informacionet duhet të filtrohen mirë para se t’i jepen audiencës.
Nga ana tjetër, edhe vetë personazhet VIP që bëhen pjesë e lojës do të duhet të jenë po aq të kujdesshëm në deklaratat që bëjnë dhe në rast se e dinë që kanë arritur kufirin e durimit apo nuk i rezistojnë dot presionit, është më mirë të largohen nga gara para se t’i përcjellin audiencës mesazhe që frymëzojnë dhunë, agresivitet apo sjellje të papërshtatshme për t’u transmetuar në ekran.
Media nuk mund të jetë promotore e dhunës!