Gjykata ka lënë në burg ditën e sotme kardiokirurgun Dervish Hasi i cili akuzohet se ka abuzuar me të miturën 16-vjeçare dhe e ka nxitur atë të kryejë marrëdhënie seksuale edhe me 3 gratë e tij, pasi mjeku ishte predikues i fesë islame dhe sipas tij të pasurit 3 gra është mëse normale.
Ajo që po vihet në diskutim, dhe që siç duket vendimi për arrest në burg do të apelohet, është se vajza 16-vjeçare prej 2 vitesh ka këmbëngulur që të takohet me mjekun Dervish Hasi. Sipas avokatëve për klientin e tij nuk qëndron asnjë akuzë. Ekspertët janë shprehur se ai mund të akuzohet vetëm për pornografi dhe jo abuzim me të mitur, pasi ai, pasi ka kryer marrëdhënie me të miturën ua ka nisur grave të tij.
Kjo histori është për të klithur. Edhe sikur ligji të mos e kap mjekun, ku mbetet ana morale e një njeriu intelektual i cili ka kryer shkollë dhe profesioni i tij konsiderohet si ajka e shoqërisë? Si mundet një 45-vjeçar i cili ka 7 fëmijë me 3 gra të ndryshme, të kryejë prej 2 vitesh marrëdhënie me një të mitur që ka moshën e vajzës së tij?
Ajo që është për të ardhur keq, është se në këtë histori përmendet edhe feja të cilën duket se i pandehuri dhe avokati i tij po e përdorin në favor të tyre, ndaj dhe duhet një ekspert i fesë që të japë një verdikt se çfarë në të vërtetë thotë islami.
Pas mjekut ata që duhet të jenë prapa hekurave janë edhe prindërit e vajzës pasi kanë qenë në dijeni të kësaj ngjarjeje të tmerrshme që nga fillimi. Si mundet një prind mos ketë kontroll mbi fëmijën e tij 14-vjeçar? Prind nuk quhesh vetëm kur biologjikisht bëhesh nënë ose baba, prind quhesh kur prindëron siç duhet dhe nuk e lë fëmijën në mëshirë të fatit me një person 29 vite më të madh.
Në këtë histori ngrihen edhe plot pikëpyetje të tjera. Një njeri i tillë vetëm normal në mendje nuk mund të jetë, kush siguron që ai nuk ka abuzuar me pacientet e tij gjatë kohës që kanë qenë në sallën e operacionit nën efektin e anestezisë?
Ka disa morale dhe ligje të pashkruara që e ndajnë qenien njerëzore nga kafsha dhe mjeku i famshëm dhe i zoti kardiokirurg Dervish Hasi që punonte tek Senatoriumi duket se nuk i përket asnjërës kategori. Vetëm një mostër mund të kryejë marrëdhënie me një fëmijë që për nga mosha mund të ishte fëmija i tij.
Ajo që në këtë histori nuk më bën më aspak çudi është fakti se çdo ditë e më shumë po faktohet dhe konfirmohet se elita e vendit në të vërtetë është edhe llumi i shoqërisë…/ Klara Murra