Besoj se të gjithë mbrëmë e dëgjuam intervistën e z.Arben Ahmetaj tek SYRI TV të Çim Pekës, dëgjuam shumë po sa kuptuam? Më saktë a kuptoi ky popull se çfarë u tha? Nuk besoj që ky popull e ka kuptuar, ose e ka kuptuar dhe i pëlqen (të vidhet dhe të poshtërohet çdo ditë e më shumë).
Arben Ahmetaj nuk doli në televizor për të treguar diçka por për të mbrojtur veten, për të marrë azil aty ku është dhe për të mbrojtur familjen e tij dhe milionat e marra nga populli. Do thotë një pjesë e madhe e popullit, Arben Ahmetaj është hajdut e delenxhi, ka vjedhur dhe tani dëshiron t’i shpëtojë burgut sërish, si dhe mijëra e mijëra justifikime. Një pjese ju intereson, një pjese tjetër sepse varet nga të parët dhe shumë prej të tjerëve do justifikonin nga injoranca dhe mbyllja e syve dhe veshëve.
Një pjesë s’kanë këllqe të ngrihen sepse kanë frikë, e pjesa e mbetur janë menefrigista dhe e kanë lënë Zotin t’i zgjidhë këto ‘halle’. Çdo ditë e më shumë bindem se ky popull nuk është dele, sepse edhe në tufën e deleve del ndonjëherë ndonjë dash që sulmon, ndaj dhe ne si popull ndahemi në dy kategori:
“TË VARURIT” dhe ”TË VDEKURIT”.
“TË VARURIT” janë të përbetuarit që ende edhe sot në 2024 kanë shprehjen e famshme ‘marrsh nga ditët tona’, si edhe PËRFITUESIT.
Për të vërtetuar shprehjen e ‘marrshit’, më vjen në mendje një bisedë me një nënë e cila më pyeti një ditë: Kë do më shumë Edin apo Lulin? (Kjo para se Luli të bëhej karte e djegur). Qesha dhe i thashë as njërin e as tjetrin. Ua më kthehet e habitur. Unë dua Edin më tha, është i mrekullueshëm dhe lutem çdo ditë për të dhe si për të më bindur vazhdoi:
‘Edi marrtë jo vetëm nga ditët e mia, por edhe nga ditët e djalit tim’!
PËRFITUESIT janë më specialistët pasi përfitojnë ngado, ato marrin të mirat dhe përfitimet e të qenurit në punë shtetit. Ata kryejnë lavde për udhëheqësit që i kanë idhuj. Këto ‘lloj speciesh’ marrin përfitime edhe nga fisi, miqtë, shoqëria. Ju kërkojnë atyre votat që vetë të rrinë në punë. I takojnë dhe u japin miqësi, dashuri dhe kafe dhe vetëm 1 muaj pas fitores së zgjedhjeve harrojnë motër e vëlla e jo më të tjerët. Por jemi mësuar me këtë lloj kategorie, madje prindërve tanë që kanë jetuar komunizmin, as nuk ju bën më përshtypje.
Di të them se është i njëjti realitet por me dy emra të ndryshëm, dikur quhej Komunizëm ndërsa sot quhet Demokraci.
Ajo me të cilën habitem janë kategoria e ”TË VDEKURVE” e cila ka brenda saj pjesën më të madhe të popullsisë. Janë ata që i shohin, i kuptojnë dhe i vujanë të gjitha pasojat, e sërish nuk reagojnë.
Kjo më vret aq shumë sa po humbas shpresat se ky vend mund të bëhet. Ndoshta jo për ne, por për fëmijët tanë.
Habitem se si një popull dëgjon i heshtur ato që ish-zëvendëskryeministrin thotë. Dëgjon një Ahmetaj që pohon se qeveria bën ç’të dojë, vjedh, kërcënon, dhe nuk çohet asnjë?
Pas intervistës së djeshme të Ahmetaj, sot Tirana duhet të ishte ngritur Revoluciom, jo protestë. Ne presim të vijnë emigratët afrikanë, kinezë e indianë që të shpëtojnë mëmëdhenë.
Fli o popull fli, nga turpi nuk ka vdekur askush…/ Vesa News