Sot po mbahet në Tiranë Samiti i tretë i Diasporës ku janë të ftuar personalitete të botës politike të trojeve ku ka shqiptarë, personalitete të jetës publike nëpër botë dhe pritet të flitet për kontributin e ‘të jashtmëve’. Patjetër që kontributi i tyre është i vyer në përçimin e traditave shqiptare në vendin ku kanë vendosur që jetojnë, për faktin si e ruajnë me fanatizëm gjuhën dhe gjithçka që kanë marrë nga të parët e tyre.
Organizim i madh, me fluturime të shtrenjta nga të gjitha anët e botës ku ka shqiptarë dhe me formalizma të mëdha, i dëgjojnë shqiptarët ‘e brendshëm’ të cilët mezi mbyllin fundin e muajit. Respekt të madh për shqiptarët që jetojnë jashtë dhe vijnë njëherë në vit në Shqipërinë e tyre të dashur dhe sjellje të rëndomtë për të gjithë shqiptarët që ‘nuk janë patriotë’ dhe kanë vendosur të rrinë në Shqipëri.
Por dihet historikisht që fasada shet më shumë se e brendshmja. Shqipërinë po e bëjnë të gjithë ata që nuk kanë ikur nga atdheu, nuk ka rëndësi për shkaqe ekonomike apo nga dëshirë, dhe jo ato që e shohin Shqipërinë e bukur nga pushimet në Itali, në Greqi, në Spanjë e gjetku.
Shqipërinë e mbajnë dhe e bëjnë të gjithë ata që pastrojnë rrugët, që ndërtojnë banesat e reja në trojet e tyre, ata që mësojnë brezat e ardhshëm, që shërojnë atdhetarët e tyre, e bën ai/ajo që pjek një copë bukën në çdo lagje e cep të Shqipërisë.
Nuk kemi nevojë për Samite për të treguar se sa e do gjithsecili Shqipërinë. Atdheun e bëjnë ata që qëndrojnë, sakrifikojnë, vuajnë dhe prap nuk ikin…/ Klara Murra