Ti Liridonë mos u mërzit që vdiqe. Ti në fakt je zgjuar ditën që u dha urdhri që të të ekzekutonte babai i fëmijëve të tu. Gjithë këto vite ke jetuar me gjarprin në gjoks dhe nuk e ke ditur. Ke luftuar për atë lidhje, krijove strofullën tënde të ngrohtë me zogjtë e tu, por nuk arrite që ta gëzoje sepse e kishe ngritur shtëpinë mbi një dru të kalbur dhe të shtrembët.
Ai nuk të ka vrarë vetëm ty Liridonë, ai ka vrarë fëmijërinë e fëmijëve të tu, të cilët gjithë jetën do të kenë përpara syve imazhin tënd të gjakosur dhe tek i kërkon me sy si për t’i mbrojtur. Ti ndoshta ke kërkuar ndihmë edhe me vështrim nga bashkëshorti, por kot e ke, nuk mundet ai të shpëtojë jetën tënde, kur ai kërkoi që të ta merrnin atë.
E di? Nderimet t’i kreu deri në fund. Priti dhe përcolli me dorë në zemër e me lot në sy të gjithë njerëzit që erdhën për ngushëllim në funeralin tënd. Çfarë aktori? Si nuk e njohe gjithë këto vite!
Nuk ka asgjë që e ngushëllon shpirtin tënd sepse zogjtë e tu kanë mbetur pa nënë, por ji e qetë sepse të paktën do të jenë larg babait të tyre i cili nuk pati mëshirë as për to. Fatmirësisht bashkëshorti jot është në burg.
Prindërit e tu nuk patën mundësi të të mbronin nga ai mostër ku të dhanë nuse, ama sot që ti nuk je më, do ta heqin mbiemrin e tij dhe varri jot nuk do të jetë më aty ku të varrosi burri jot vrasës, por në varrezat që prindërit e tu duan. Diku afër ku të vajtojnë fatin e tyre të zi dhe diku ku ti do kesh mundësi të shohësh zogjtë e tu teksa rriten, me bekimin tënd nga lart…/ Klara Murra