E diela e 28 majit (një ditë më parë), në dukje ishte krejtësisht e zakonshme. Një ditë e nxehtë, me një diell që të përvëlonte e që kapi papritur këdo, pasi tashmë duket se jemi mësuar me një mot të çmendur, të ngjashëm me atë londinez. E si çdo fundjavë, shumica i ishin drejtuar bregdetit, mirëpo mbrëmja i solli sërish në Tiranë. Jo sepse do duhet të jenë të nesërmen në punë (edhe kjo qëndron), por sepse mbrëmja kishte rezervuar një nga evenimentet kulturore me përmasa botërore, si Notre Dam de Paris.
Duke ndarë me ju edhe një histori personale, shpesh kam qenë në tryeza të ndryshme bisedash ku dëgjoja frazën “ky popull tallava do” dhe kam qenë fort kundër kësaj teze duke argumentuar se tallava po na ofrohet dhe si e tillë vetëm atë mund të pëlqejmë. E dje u ndjeva mjaft mirë, kur ky mendim i imi që shpesh e mbaja për vete për shkak se shumica më bënte të mendoja se e kisha gabim, u konfirmua më së miri.
Muzikali francez u ngjit mbrëmjen e djeshme në një nga skenat më të mëdha në vendin tonë, stadiumin “Air Albania”. Trupa ndërkombëtare luajti në kryeqytetin shqiptar, ndërsa rolin e Esmeraldës e kishte këngëtarja e njohur shqiptare Elhaida Dani. Ashtu sikurse edhe Elhaida premtoi “ishte një natë e paharrueshme” dhe në çdo sekondë të atyre 150 minutave shfaqje, konfirmohej se publiku shqiptar ishte i etur për kulturë.
Publiku shqiptar ishte i etur për një ngjarje kulturore aty ku profesionalizmi mbante vendin e parë në të gjitha aspektet. Në një stadium që ka 22 mijë vende, mund të thuhej pa asnjë ndrojtje se të pranishëm kanë qenë rreth 10 mijë spektatorë që nuk rreshtën së duartrokituri çdo pushim të 51 këngëve që u luajtën, mes tyre edhe “Belle”, personifikim i kësaj histori.
Publiku shqiptar ishte i etur dhe kjo u pa fare qartë që ndonëse bileta kishte një çmim që varionte nga 3 mijë lekë minimalja deri në 10 mijë lekë maksimalja, çmim jo pak i kushtueshëm, shkallët e stadiumit ishin plot me fytyra të ngazëlluara e me shumë kureshtje për të qenë pjesë e këtij momenti unik, që për fat të keq kryeqytetasit e përjetojnë shumë pak.
“Ia kam bërë hallall lekët”.
“Sërish do vija po të më jepej mundësia”, ishin disa nga përshtypjet e para që mund të dëgjoje.
Publiku shqiptar ishte i etur dhe këtë mund ta vëreje mjaft mirë se si i kishin kushtuar një vëmendje të madhe këtij evenimenti kulturor. Ndonëse ishte në stadium, të gjithë ishin të kuruar në pamjen e jashtme, saqë dukej sikur po merrnin pjesë në një nga ballot mbretërore, jo me ato fustanet e fryra siç jemi mësuar t’i shohim në filma, por u duk sikur kishin nxjerrë nga garderoba rrobat e tyre më të mira për të respektuar këtë shfaqje, pritshmëritë ndaj së cilës ishin shumë të mëdha.
Publiku shqiptar ishte i etur dhe kjo u pa sepse në stadium nuk kishe vetëm të rinjtë, por të moshuar, gra dhe burra, si edhe fëmijë që në të paktat momente të ditës nuk ishin të përqendruar te telefoni, por u dedikuan me gjithë qenien e tyre asaj që po ndodhte në skenë.
Publiku shqiptar është i etur për atë artistin e përulur që jep në skenë shpirtin dhe të duartroket ndonëse nuk e di se kush mund të jesh. Përveç se Elhaida Danin, një pjesë të konsiderueshme, për të mos thënë e gjitha, nuk i njihte artistët e tjerë që ishin në rolin e Phoebus, Fleur de Lys, të priftit apo Kuazimodos etj, por sërish e vlerësuan artin e tyre me duartrokitje dhe brohortije. Publiku shqiptar nuk është i ndrojtur, por është i zgjuar dhe di se ku duhet të duartrokas.
Publiku shqiptar është i etur për kulturë dhe prandaj nga politika, do duhet ta dijë këtë. Ndonëse për shkak të interesave të tyre, priren që ta paragjykojnë shoqërinë, si të prapambetur e duke premtuar për rrugë të shtruara, e ujë 24 orë… këto do duhet të ishin bërë me kohë…publiku shqiptar ka ecur përpara, e ndërsa politika ka mbetur në vend./B.K