Në një reality siç është Big Brother, askush nuk del i fituar. Ky show, i cili është në kulmin e tij edhe në Shqipëri është një format që i përket zhanrit “entertainment reality show”, që në shqip do të thotë një “spektakël argëtues i realitetit”.
Mirëpo, parë në syrin e një publiku që shkon përtej asaj të dukshmes dhe përtej tifozllëkut për X personazh, ai mund të cilësohet si një laborator i mbushur me “kavie” e ku bëhen eksperimente të caktuara sociale në mënyrë që të ndikojnë tek audienca jashtë.
Sa më e larmishme të jetë kurba e rrugëtimit të një personazhi brenda shtëpisë më të famshme, pra me ulje dhe ngritje të theksuara, aq më shumë dritat dhe kamerat drejtohen drejt tyre. Asgjë nuk është meritë e vetë personazhit, por e produksionit i cili i drejton banorët aty brenda si marioneta. Për këdo që ka parë filmin “The Truman Show”, e di fare mirë se si gjithçka ndodh, është e gënjeshtërt.
Mirëpo, pas këtij parashtrimi le të kthehemi në realitetin shqiptar me Big Brother, kryefjalë e së cilit ka qenë pa dyshim Luiz Ejlli. Për ta theksuar, në këtë artikull nuk do të marrim në shqyrtim lojën e bërë aty brenda nga ky banor, nëse ishte e duhura apo e gabuara, por do të marrim në analizë sjelljen e produksionit apo atij që konsiderohet si “Vëllai i Madh” përkundrejt tij.
Kjo, se si ai po “përdoret” për interesa që shkojnë përtej “limonadës” që ofron ky reality show. Bëhet fjalë për interesa më të mëdha, ato politike. Si një ish dhëndër i ish kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli dhe posteve që ka mbajtur, është më se e qartë që bindjet e tij politike janë të djathta dhe këtë nuk ka reshtur së treguari edhe brenda shtëpisë me simpatinë që ka shprehur herë pas here për ish kryeministrin Sali Berisha, ku edhe ka ngritur dolli për të, veprim ky që tërhoqi edhe vëmendjen e vetë demokratit që e përshëndeti në një dalje publike.
“Eshtë një demokrat i njohur në të gjitha qëndrimet e tij, me një energji të pashtershme siç e dëshmon. Një njeri, një mjeshtër në marrëdhëniet publiket në fushën e tij të showbiz. Ka përdorur të gjithë talentin e pamohueshëm për të tërhequr fansa, mbështetës, simpatizantë me shpejtësi të jashtëzakonshme. Gjithmonë artistët janë kampionë në mediat sociale. E falenderoj shumë për dollinë”, tha Berisha.
Mirëpo, kthesa nis këtu. Ky personazh për shkak të shfaqjes së pëlqimit të tij për Kryetarin e PD Sali Berisha duket se u kthye në një shqetësim qeveritar dhe duke përfituar nga popullariteti i tij, po përpiqen që të përfitojnë. Papritur, Luiz Ejlli u shfaq në shtëpi duke shprehur vlerësim për figurën e Benet Becit.
Për një panoramë më të plotë ia vlen të theksojmë se vetë banori nuk është i vetëdijshëm (nëse do e marrim të mirëqenë që nuk jepen informacione nga jashtë) që Benet Beci është kandidat për kryebashkiak, sepse zyrtarizmi i tij erdhi në 25 mars, kohë kur Luizi ishte brenda shtëpisë.
Kjo përplasje politike dhe Luiz Ejlli i vendosur mes “2 zjarreve” duket se do të vijojë edhe pas daljes së tij nga shtëpia. Publiku, me një nuhatje jo të keqe e kuptoi një fakt të tillë, e ku jo pak zëra e lidhin me shtyrjen e finales së madhe deri në 6 maj edhe me “frikën” se Luizi do t’i bashkohej fushatës së demokratëve.
Edhe dasma e natës finale me të fejuarën e tij, Kiara, ku u kurorëzua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, edhe pse Luizi ka pashaportizimin në Shkodër, lë jo pak vend për dyshime.
Big Brother politik i Luiz Ejllit duket se do të nisë që sot, 7 maj, pas daljes së tij e këtu politika do të mundojë që ta “rekturojë” e mund ta “blejë” në qëllimin e tyre për të maksimalizuar votat.
Banori i Big Brother është shquar për një karakter të fortë që nuk lejon të përdoret nga banorët brenda shtëpisë, e mbetet për t’u parë nëse këto tipare do t’i ruajë në botën e egër që tashmë e pret nga fama e tij që ka arritur kulmin, deri në kufijtë e asaj që as ai vetë nuk i ka imagjinuar.
Nisur nga këto rrethana, është me interes për të parë se si do të vijojë “Big Brother politik” i Luiz Ejllit. A do të mbetet ai një i djathtë siç është futur në shtëpi apo do të bëhet pjesë e marrëveshjeve “të fshehta” për të cilat politika shqiptare nuk i ka kursyer për hir të së vërtetës, aq më tepër në periudhë zgjedhore.
Nga ana tjetër, përfshirja me politikën për Luiz Ejllin duket se do të jetë një “lojë me zjarrin”, kjo pasi historia e ka treguar se populli shqiptar nuk ndikohet nga personazhe të caktuara ditën e votimit kur do duhet të “shkund” votën.
Përkundrazi!
Shembulli konkret është rasti i shumë VIP-ave shqiptare, mes tyre dhe Rita Ora, ndaj të cilëve publiku është treguar kritik dhe jo pak i ashpër për mbështetjen që ato kanë ofruar për kryebashkiakun aktual Erion Veliaj.
E në këtë “lojë me zjarrin”, sfida për Luiz Ejllin është e madhe. Kjo pasi dihet se sa më i rrënuar imazhi i një politikani, aq më e madhe është nevoja për të afruar aktorë, shkrimtarë, këngëtarë dhe njerëz të artit dhe pranimi i një oferte të tillë, do të ndikonte në bërjen “pis” të figurës së cilit artist në publik, gjithmonë referuar të kaluarës.
Mirëpo jetojmë në Shqipëri dhe gjithçka mund të ndodhë…Çdo skenar është në tryezë.