Në të gjithë historinë e njerëzimit ka ekzistuar e mira dhe e keqja. Që me ndëshkimin e Evës dhe Adamit pasi hëngrën mollën, e keqja është kritikuar dhe është përpjekur të lihet mënjanë, duke përqafuar të mirën dhe duke dashur të jemi njerëz të mirë dhe të denjë. E kësisoj, në përpjekje për të qenë njerëz të mirë, pa e ditur, shpeshherë mund të bëjmë edhe zgjedhjet e gabuara. Njerëzit harrojnë se shpesh e mira është shumë lehtë e manipulueshme dhe tek e keqja mund të fshihen të vërteta më të mëdha.
Për të ulur në rrafsh më konkret dhe më të prekshëm, mund të marrim dy nga njerëzit më të komentuar së fundmi në Shqipëri. Bëhet fjalë për Luiz Ejllin dhe Olta Gixharin.
Big Brother, si një format shumë i ndjekur dhe i komentuar, jo rrallë krijon modele tek të cilat shumë njerëz gjejnë vetveten ose priren që të jenë si ata. Dhe si në çdo fushë tjetër të jetës, ekziston personazhi protagonist dhe antagonist, e mira dhe e keqja, e dashura dhe e urryera.
Luiz Ejlli deri më tani është një ndër banorët dhe personazhet më të pëlqyer në Big Brother pasi shihet si një e mirë e cila i shërben shtëpisë, ndërkohë që Olta Gixhari, sipas publikut, ishte e kundërta e tij, një personazh ‘i keq’ i cili duhet të dilte sa më shpejt nga shtëpia, kështu ‘e mira’, Luizi, do të triumfonte dhe do të ishte i lirë drejt finales.
Por në fakt, si qëndron e vërteta bazuar në veprimet e tyre, pa i interpretuar dhe pa i marrë ‘afër zemrës’?
Luiz Ejlli e nisi rrugëtimin e tij me një gënjeshtër të madhe që kishte lidhje me një sëmundje, duke ditur sesa të ndjeshëm janë shqiptarët në lidhje me këto tema, pasi mund të kenë humbur personat e dashur nga e njëjta sëmundje, luajti me ndjenjat e mijëra njerëzve dhe fitoi ‘keqardhjen’ e tyre. Kësisoj, mori etiketën ‘i miri’ duke u shfaqur si engjëll përpara të gjithëve. Në anën tjetër, Olta, e cila automatikisht mori titullin ‘e keqja’, ‘kryqëzohej’ nga rrjeti sa herë thoshte një vërtetën por që logjikisht do quhej gënjeshtër pasi publiku që përkrahte të mirën, nuk e lejonte atë të ishte asgjë tjetër, përveçse e kundërta e Luizit.
Episodi i parë i gënjeshtrës së Luizit, na bëri të kuptojmë, që njerëzit në parim, kur diçka i prek dhe i lëndon, priren ta besojnë pa vendosur arsyen në punë për të parë që mund të jetë edhe gënjeshtër ajo që ‘e mira’ ju servir.
Tek Olta publiku shikonte gruan atipike “histerike”, e cila sillet sikur i di të gjitha, sikur i bën të gjitha, sikur është e pathyer, që flet pafund, që t’i acaron nervat në çdo moment dhe që shumë prej fansave janë shprehur në rrjet që ‘Imagjino të kesh në shtëpi një njëri si Olta’! Histeria kolektive kërkonte me patjetër daljen e Oltës nga Big Brother, por ndodhi ajo që nuk pritej.
Me të dalë, shikueshmëria sipas statistikave nuk ishte më e njëjta, dëgjojë kudo shprehjen ‘Nuk shihet më Big-u’, ‘Tani s’ka më kuptim’, ‘Dihet fituesi sepse nuk ka kush e sfidon më Luizin’. Pra, në njëfarë mënyre, Olta ishte një ‘e keqe’ e domosdoshme brenda shtëpisë, e cila i jepte lezet çdo sfide, çdo bisede dhe çdo debati.
Madje, edhe ‘e mira’, Luizi, ju lut të mos ikte sepse loja e tij pa Oltën nuk kishte më kuptim. Tani, papritur të gjithë donin Oltën duke harruar se deri në atë moment e kishin pasur ‘halë’ në sy.
Olta, si personazhi negativ brenda shtëpisë, bëri gjestin që preku zemrat e të gjithë, ajo la garën për diçka shumë herë më të rëndësishme, djalin e saj.
Pra, na rezultoi se ajo në fakt nuk ishte e keqja e vërtetë e shtëpisë. Ajo fshihej pas ndjenjave të saj dhe kamuflohej për të mos shfaqur dobësitë e saj më të mëdha.
E keqja, e la garën për gjëra më me vlerë sesa një lojë, ndërsa e mira nuk ka mëshirë për asgjë derisa të arrijë synimin e tij.
Kësisoj, lind pyetja, ju jeni më shumë Luiz apo Olta? Por përpara se t’i jepni vetes një përgjigje, kujtoni se gjërat nuk janë gjithmonë ashtu siç na serviren.
Jeni Luizi i mirë që ‘shkelni’ këto që ju del përpara për famë, pushtet dhe fitore, apo jeni Olta e keqe që parësore në jetë keni ndjenjat e pastra dhe dashurinë për familjen?
Mendoj, se shumica prej nesh jemi pak Olta Gixhari, thjesht nuk duam që ta pranojmë…/ Klara Murra
SQARIM: Ky shkrim nuk ka për qëllim të denigrojë figurën e askujt, as të Olta Gixharit dhe as të Luiz Ejllit. Ata janë marrë në analizë si personazhe brenda një formati televiziv dhe jo si individ në jetën reale.