Prej disa ditësh qarkullon në media lajmi i vdekjes së 28-vjeçares në spitalin privat ‘Amerikan 2’. Shumë u fol se kush kishte të drejtë dhe kush gabim. Nëse do të analizojmë pak situatën, në këtë ngjarje unë vë gishtin të dyja palëve.
Një njeri me kancer i cili kërkon të bëjë ndërhyrje estetike për t’u dukur bukur, nuk ka asnjë pikë sensi pasi automatikisht, edhe një person i cili nuk ka kryer shkollën e mjekësisë e di se mundësia për një problem të madh, është shumë i madh. Familjarët e të ndjerës kanë ngritur akuza ndaj mjekëve për mjekim të pakujdesshëm. Ku ishin këto familjarë kur motra dhe vajza e tyre do të bënte këtë ndërhyrje? Kur ata e dinin që e bija e tyre ishte me kancer në mitër, supozohet që duhet ta kishim vëmendjen mbi të 100-fish. Fakti që e ndjera shoqërohej vetëm nga mikja e saj, tregon se prindërit nuk e dinin. Lind pyetja, si i kërkojnë llogari mjekëve kur ata duhet të ishin në dijeni të këtij operacioni dhe ishin ata të parët që duhet ta parandalonin.
Në anën tjetër janë mjekët, të cilët fusin në thikë njerëz pa ju bërë analiza dhe pa i kontrolluar, dhe mbyllin sytë përpara parave. Një pikë tjetër që ngre dyshimet është edhe fakti se paratë janë kërkuar me ngul disa orë pas operacionit, siç duket mjekët e kanë kuptuar që diçka nuk shkonte dhe nuk kanë dashur që operacioni të mos paguhej.
Tashmë kjo çështje i ka kaluar drejtësisë dhe hetimet do të tregojnë se cili ishte shkaku i vdekjes së 28-vjeçares. Ajo për të cilën dua të flas sot, janë mediat. Nëse ngjarja do të kishte ndodhur në një spital shtetëror, të gjitha mediat do të shkruanin, do të raportonin një ditë dhe ndoshta edhe ditën e dytë, por në fakt ato nuk kanë shkruar të gjitha, kjo sepse bëhet fjalë për një spital privat, i cili rrënjët i ka shumë thellë tek njerëz shumë të rëndësishëm.
Ato media, që supozohet të jenë transparente dhe zëri i publikut, papritur bëhen sulmuese, jo për rastin por për spitalin. Vdekja e të resë tashmë është kthyer në një çështje gjobash, ku televizionet gdhihen dhe ngrysen me spitalin dhe portale që janë shumë të ndjekura nga publiku sulmojnë spitalin sepse nuk i sponsorizon më me mijëra euro në muaj. Më pas kemi edhe televizionet e tjera të cilat e kanë sponsor dhe nuk shkruajnë as edhe një rresht, a thua se ka ngordhur një zog pule dhe jo se ka ndërruar jetë një vajzë në lule të rinisë.
Kjo është media që çirret për të drejtat e veta kur i sulmohet një gazetar, që çirret kur preket pronari dhe bizneset e tyre, që publikojnë edhe fakte të pavërteta sepse masa ka krijuar besim tek ta dhe e merr çdo gjë të mirëqenë. Gjobat nuk janë mision i medias, por siç duket tashmë edhe fatkeqësitë përdoren sipas interesit. Çdo media e cila ka gjëra personale me pronarët e spitaleve të caktuara, duhet t’i demaskojnë në mënyrën e dhënies së shërbimit, jo kur ndodhin fatkeqësi. Po nëse vërtetohet që faji është i vajzës dhe nuk ka dërguar asnjë dokument paraprak se vuante nga kanceri, si do ja bëjnë këto media kazan, siç thotë edhe dikush?
Fatkeqësi që fatkeqësitë në këtë vend, përdoren për gjoba mediatike!/ Klara Murra