Që emigrantët dhuratë nga Italia do të vijnë në Shqipëri, kjo nuk është më surprizë pasi edhe qeveria i ka dhënë dritën jeshile. Ajo që nuk ka sens është se ndryshe nga çdo iniciativë që qeveria ndërmerr, grupet e interesit ngrihen për ta kundërshtuar, ndërsa në këtë rast, asnjë nuk ka folur për ardhjen e emigrantëve në tokën shqiptare. Në një nga shkrimet tona, kemi shpjeguar se ardhja e tyre, shkel me të dyja këmbët Kodin Penal.
Përtej gjithçkaje, pyetja 1 milion dollarëshe është: Çfarë fiton Shqipëria nga e gjithë kjo iniciativë që nuk i dihet fundi? Nuk po flasim këtu për përfitime personale të cilat Edi Rama mund t’i ketë të shumta. Po flasim për Shqipërinë së cilës do t’i përdoret një pjesë e konsiderueshme e tokës në ndihmë të Italisë. Marrëveshja u nënshkrua gjatë pushimeve të saj verore në Shqipëri në fshehtësi të plotë.
Kur ndërkombëtarët e kanë parë më skepticizëm këtë veprim të Shqipërisë, atëherë me rregull treshi i bie që Rama nuk po e bën gjithë këtë për integrimin e vendit drejt BE-së.
Për ta paralelizuar me ‘të përbetuarit tanë’, Serbinë, Meloni përpara 4 ditësh ka deklaruar se do t’u bëjë një dhuratë të madhe për ekonominë. Ka qenë vetë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç që ka deklaruar se është hapur drita jeshile që në qytetin qendror Kragujevac të Serbisë të prodhohet modeli elektrik ‘Fiat Panda’. Vuçiç, i cili foli pas takimit me kryeministren italiane Giorgia Meloni, nuk dha ndonjë datë specifike për nisjen e prodhimit të makinave, por ajo që dihet është që kjo gjë do të rrisë tregtinë midis Italisë dhe Serbisë mbi 4.6 miliardë euro në vit.
E thënë shkurt, Rama bëhet i mirë në sytë e ndërkombëtarëve por nuk i jep asgjë shtetit, ndërkohë që serbët, pa bërë asgjë të jashtëzakonshme, ndihmohen në ekonomi aq shumë. Pse askush nuk flet për këtë? A nuk i detyrohej Meloni Shqipërisë më shumë se Serbisë? Apo Rama dhe Meloni janë ‘rregulluar’ dhe kjo e fundit nuk i detyrohet më asgjë popullit shqiptar?
Rama bëri mundin, Vuçiç mori floririn./ Klara Murra