Që prej mbylljes së parlamentit, gjatë gjithë verës, makineria e propagandës së rilindjes nuk është ndalur një çast të vetëm në sulmet ndaj Metës dhe Berishës.
Pas email-it të “rastësishëm” që kërkonte zbulimin e së shkuarës si denoncues të ish presidentit, mediat pranë qeverisë dhe njerëzit e afërt të Ramës po e vizatojnë ish aleatin e tyre, që i solli në 2013, në pushtetin që ende po gëzojnë, si figurën më të zëzë të politikës në këto 30 vite.
Hapja e kësaj dosjeje ka shërbyer si pretekst për të evokuar edhe njëherë Ilir floririn, njeriun me bllok në dorë, denoncuesin e shokut…etj.
Po i njëjti arsenal është vënë në punë për të goditur po ashtu, non grat-an Sali Berisha, duke bërë që ngjarjet e ‘97-ës, Gërdeci, 21 janari dhe privatizimi i klubit Partizani, të pushtojnë më tepër hapsirë se lajmet e aktualitetit.
Po le ti besojmë mos për një çast kësaj furie propagandistike. Le ti japim asaj të drejtë. Le të pranojmë pa mëdyshje se Ilir Meta dhe Sali Berisha janë fiks ashtu siç i përshkruan Taulant Balla dhe siç i vizatojnë gardianët e moralit, që figurojnë në borderotë e bashkisë.
Po sërisht, pyetja që shtrohet është: A është kjo e keqja më e madhe që po i ndodh sot vendit? A kanë gjë në dorë këto dy “figura të zeza” për 80 mijë eurot që i shkojnë çdo ditë pronarëve në kërkim të inceneratorëve?
A i nënshkruajnë ata resortet e investitorëve strategjikë të hierarkëve të rilindjes? A fshihen ata pas pas bordit të gjoja transparencës, që po i rrjep shqiptarët me çmimin e naftës? A i bëjnë ata tenderat e rrugëve të florinjta? A i japin ata lejet e kullave, ku sipas të gjitha institucioneve ndërkombëtare pastrohen paratë e krimit?
Po i shtrove këto pyetje kritikëve të përditshëm të dyshes që kryeson sot opozitën, ata të përgjigjen me naivitet: “Epo pa një opozitë të virtytshme dhe të besueshme, nuk ndalohen dot grabitjet e Ramës”.
Po aq i vërtetë sa është në realitet ky pohim, po aq hipokritë janë ata që e shqiptojnë atë nga halli. Sepse ata që e thonë, nuk e kanë ngritur kurrë zërin kundër asnjë skandali të kësaj qeverie. Ata bëjnë qëllimisht rolin e idiotit, që kur është duke i marrë flakë shtëpia, në vend që të fikë zjarrin, shkon e bën sherr për pastërtinë e uniformës së zjarrfikësit.
E këtu le të kthehemi edhe njëherë tek premisa e parë, tek supozimi që Ilir Meta dhe Sali Berisha i meritojnë të gjitha ato që makina e propogandës po buçet kundër tyre. Po duke e marrë këtë të mirqenë, sërish ngrihet pyetja: po atë shumicë shqiptarësh, që s’kanë votuar kurrë as PD-në, as LSI-në, kush i mbron nga grabitja galopante e Ramës?
Cilët janë ata që flasin në emër të këtyre qytetarëve? A e bëjnë këtë pjesa më e madhe e mediave, shoqëria civile, apo diplomatët që konsiderohen si faktorë në lojë, në këtë republikë bananesh?
Jo. Pothuajse të gjithë kanë bërë kompromis me strategjinë e regjimit, se jetohet mirë dukë sharë ata që nuk kanë pushtet.
Kjo shtresë, shpesh e pa zëshme dhe e pa përfaqësuar, shërben si lakmuesi më i mirë për të kuptuar hipokrizinë e pjesës më të madhe të personazheve publikë.
Asaj nuk i vlen aspak sterrosja e imazhit të Salës apo Likes, ajo ka nevojë të mbrohet nga oligarku që i rrëmben truallin në bregdet, nga polici që i masakron fëmijën me skaf, nga ndërtuesi që përdor shtetin për ti shkatërruar shtëpinë, nga qeveria që nuk i kompeson inflacionin dhe rritjen çnjerzore të çmimeve.
Sepse Shqipëria nuk është e ndarë në dysh, në atë të njerëzve të pushtetit dhe atë të atyre të opozitës, ashtu siç përpiqen të na e vizatojnë daullexhinjtë e qeverisë. Ajo është më e madhe sesa kaq. Ajo është mbi të gjitha e një shumice të cilës askush nuk i del për zot.
Prandaj të gjithë ata ingranazhe të mekanizmit propogandistik, që nuk flasin për dhunimin dhe vjedhjen që po i bëhet këtyre njerëzve, nga banda më e madhe kleptokrate që i ka rënë në qafë këtij vendi që nga 1912, nuk janë më të besueshëm. Askush nuk ka më nerva të dëgjojë, si këtë verë, përralla nga e kaluara me Berishën dhe Metën.
Askush nuk vazhdon të vajtojë ato që ka humbur në të shkuarën, teksa ndjen në pantallona dorën e xhepistit të tanishëm.
Pikërisht për këtë, të gjithë ata që bëjnë dredha për ti’u përgjigjur pyetjes së thjeshtë: “kush po i grabit shqiptarët sot”, e kanë një emër. Ata nuk janë gjë tjetër veçse mercenarë të mjerë të njërës prej tre Shqipërive, asaj të hajdutëve.