Teksa sëmundjet kancerogjene po shtohen dita-ditës dhe shumë persona po humbin jetën prej tyre, duket se në Shqipëri askush nuk shqetësohet për shëndetin e tij/ saj. Shumë pak dëgjon shprehje të tipit ‘duhet të bëj analizat se kanë kaluar 6 muaj’, ‘duhet të bëj një check up për merak’, ‘e hoqa nga shtëpia ime këtë ushqim sepse nuk më pëlqente përmbajtja që kishte’, pra me pak fjalë, ne nuk kujdesemi për shëndetin aq sa duhet, ose aq sa duhet për të mos vdekur.
Kur ushqimet po rriten me OMGJ (ushqime të modifikuara gjenetikisht) dhe kujdesi ndaj shëndetit po ulet çdo ditë e më shumë, gjendemi përpara faktit që kur dikush sëmuret dhe vdes themi se ‘aq e kishte jetën’. Por kjo shprehje është pjesërisht e vërtetë pasi një pjesë të jetës dhe shëndetit tonë e kemi ne në dorë. Sigurisht që është shumë e vështirë të ndjekësh dieta të shtrenjta ushqimore, të marrësh ilaçe për çdo pjesë të organizimit, por mund të jemi të vëmendshëm për gjërat të cilat nuk duhet kategorikisht t’i hamë ose t’u ekspozohemi.
Një ndër sëmundjet e pashërueshme të cilën ne mundemi ta parandalojmë është ajo e lëkurës. Nëse për të tjerat do duhet të bëjmë dhjetëra analiza dhe ilaçe, për lëkurën me anë të kremrave mund të shpëtojmë veten.
Nëse do të bënim një sondazh të vogël, në cilindo qytet që ju mund t’ju shkojë në mendje, rreth 70% e tyre nuk e njohin fjalën SPF, e cila mund t’ju shpëtojë edhe jetën. SPF është shkurtesa për faktorin mbrojtës nga dielli (Sun Protection Factor) dhe sa më i lartë të jetë faktori (numri), si për shembull SPF 50, aq më shumë kohë mund të kaloni në diell pa u djegur nga rrezet e tij ultravjollcë B (UVB). E thënë thjesht, numri pas SPF tregon se sa kohë mund t’ju duhet për t’u djegur nga dielli pasi të keni aplikuar SPF, krahasuar me kur nuk përdorni fare SPF.
Pra është një krem me mbrojtje e cila ndalon rrezet e dëmshme të diellit të depërtojnë në lëkurë. Duhet theksuar se këto rreze nuk depërtojnë nëse ju qëndroni 1 ose 2 ditë pa to, por bëhet problem nëse ju nuk e keni përdorur asnjëherë gjatë gjithë jetës suaj. Veç kësaj, dihet që dielli është përgjegjës për deri në 80 për qind të shenjave të plakjes së parakohshme të lëkurës.
Por, nëse pyesim në farmaci ose në supermarkete për këto kremra me mbrojtës, do të shikojmë që janë shumë shtrenjtë. Nëse do doni të blini një krem për fytyrën me SPF 50+ ajo kushton 3.500 lekë, nëse merrni një krem për plazh me SPF 30+ ose 50+ kushton nga 1.500 lekë deri në 3.000 lekë. Pra shumë të kushtueshme për xhepat e shqiptarëve me një pagë minimale 40.000 lekë (në rastin më të mirë nëse është i siguruar).
Shumë vende të botës, një ndër to edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke ditur se sa e rëndësishme është mbrojtja e lëkurës ndaj diellit, një krem me SPF kushton shumë lirë, në mënyrë që të gjithë qytetarët të kenë mundësi ta marrin dhe mos privohen nga çmimi siç ndodh edhe në Shqipërinë tonë të dashur.
Duhet të fillojmë të edukojmë fëmijët tanë me mendimin që të përdorurit krem me SPF çdo ditë, nuk është luks por domosdoshmëri. Nëse do të kishte diçka të domosdoshme më të cilët do të mund ta krahasoja është paracetamoli. Në xhepat e shumicës prej shqiptarëve gjen patjetër paracetamol, duhet të fillojmë ta krahasojmë SPF me paracetamolin, të jetë gjithmonë aty me ne.
Ministria e Shëndetësisë duhet të akordojë një fond të veçantë që çdo qytetarë të ketë mundësi të përdor krem për parandalimin e sëmundjes së shekullit, kancerit.
Lëkura, si organi më i madh në trupin e njeriut, është po aq i rëndësishëm sa zemra, veshka, mushkëritë, aparati tretës dhe gjithçka që na jetëson ne. Ky duhet të jetë një alarm në vendin tonë, të mbrosh lëkurën nuk është luks, është kujdes ndaj shëndetit…/ Klara Murra