Emigrimi në vendin tonë është kthyer në kryefjalë. Thuajse në çdo bisedë shoqërore, mes një grupi të rinjsh a të moshuarish, shqetësimi i parë është dyndja e të rinjve jashtë kufirit shqiptar.
Po, është e vërtetë që sot rinia ka vendosur të sakrifikojë për të ndërtuar një të ardhme jashtë vendit. Dikush në Gjermani, një tjetër në Itali, Greqi e së fundmi, një masë e madhe ndjek rrugën ilegale drejt Britanisë së Madhe.
Por, përpos shkallës në rritje të emigracionit, Shqipëria po vuan edhe migracionin, lëvizjen e brendshme të të rinjve nga qytetet e tjera drejt Tiranës. Kryeqyteti është mbipopulluar ndjeshëm ku të rinjtë zgjedhin jo vetëm të studiojnë, por edhe të punojnë, të jetojnë, të investojnë e rrjedhimisht duke lënë ‘pas dore’ qytete e tyre të lindjes.
Ashtu sikurse të rinjtë migrojnë drejt Tiranës, edhe investimet e qeverisë po lëvizin me shpejtësi në kryeqytet. Si nga infrastruktura ashtu edhe në ekonomi, kryeqyteti është shndërruar në një “betoniere” të vërtetë. Thuajse çdo javë shohim nga një pallat që i bën hije tjetrit. Kulla të larta që ende janë projekte në hartë. Padyshim, rritja e numrit të ndërtesave është e domosdoshme përballë fluksit me të cilin kryeqyteti po përballet çdo ditë.
Por, le të marrim një anë tjetër të medaljes. Pse të mos hidhet vështrimi nga rrethet për t’i bërë edhe ato të jetueshme jo sa Tirana, por të paktën aq sa të rinjtë të mos kërkojnë me ngulm të largohen drejt ëndrrës ‘kryeqytetase’.
Do të ishte më mirë të rriteshin investimet në qytetet e tjera. Nxënësit që përfundojnë maturën të mos dynden drejt Tiranës për të vijuar studimet e larta, por t’iu krijohet mundësia të qëndrojnë në vendin e tyre të lindjes. Shumë degë në qytete janë mbyllur për shkak të numrit të ulët të regjistrimeve. Duhet të ekzistojë një formulë e cila sjell në Tiranë për një degë të caktuar studentët më ekselentë, pjesa tjetër do të vijojë të njëjtën degë në qytetet e tjera dhe do duhet të mbështetet financiarisht nga shteti për të gjitha vitet e studimit për shkak se ‘i hiqet prioriteti’ të studiojë në kryeqytete. Këta studentë duhet të angazhohen në projekte të njëjta si ato të studentëve në Tiranë. Atëherë në kushte të tilla, duhet një fushatë sensibilizuese dhe rritje e investimeve për infrastrukturat mësimore edhe në universitetet e qyteteve të tjera. Kësisoj, më pak të rinj do të donin të largoheshin nga qyteti i tyre i lindjes.
Një pikë tjetër që mund të nxiste rikthimin e të rinjve pas studimeve në kryeqytet është edhe punësimi. Studentët e diplomuar shpeshherë zgjedhin të mos largohen, por të sigurojnë një vend pune dhe të vijojnë jetesën e tyre në Tiranë, kjo për shkak të mundësive të pafundme që kryeqyteti ofron. Rrethet sot kanë mungesë të theksuar punëtorësh për shkak se pjesa më e madhe e të rinjve po shohin si referencë pikërisht kryeqytetin. Qeveria duhet të hartojnë një plan masash të cilat t’i joshin këta të rinj që të kthehen në vendlindje.
Mund të krijohet një kontratë ku të rinjve t’u premtohet një vend punë në vendlindje sapo ato të përfundojnë studimet. Një pagë mbi minimalen do t’i bindte ata të qëndronin në shtëpinë e tyre ku nuk do t’ju nevojitej të paguanin një qira të shtrenjtë siç ndodh në kryeqytet. T’u garantoheshin trajnime të herë pas hershme në kryeqytet në mënyrë që mos të ndihen ‘të lënë pas’ vetëm për faktin se jetojnë në rrethe. Aktivitetet e ndryshme kulturore, artistike por edhe mësimore të mos përqendroheshin të gjitha në Tiranë, por çdo muaj, secili qytet të angazhohej për të mirëpritur një eveniment të caktuar, ku Tirana ‘të jetë e detyruar’ të shkojnë nëpër rrethe. Kjo do t’u ngrinte të rinjve vetëbesimin dhe do t’i bënte ata të ndiheshin të vlefshëm për komunitetin dhe për familjen e tyre. Rrjedhimisht edhe qytetet nuk boshatisen por edhe puna vijon normalisht për sa kohë nuk vuajnë mungesën e krahut të punës.
Një faktor tjetër që po çon në plakjen e rretheve janë edhe lindshmëritë. Në momentin që të rinjtë drejtohen në Tiranë, pra shpërngulen, rrjedhimisht që ajo që mbetet është mosha e mesme dhe e tretë, e pamundur për të rritur lindshmërinë. Kjo çon në mbylljen e shkollave, kopshteve, çerdheve. Duke cituar sërish zgjidhjen e lartpërmendur, fokusi që mund t’u jepet studentëve nëpër rrethe sot, do të ndikojë edhe në lindshmërinë e qyteteve nesër.
E pra, fokusi i qeverisë është Tirana, duke investuar shumë pak ose aspak në rrethe e duke i lënë në harresë qytetet dhe fshatrat. Duhen minimizuar projektet për të rinuar Tiranën e cila po lulëzon teksa rrethet plaken dita-ditës.
Çdo i ri sot ka në dorë të ardhmen e vendit, por jo duke u arratisur. Qëndroni. Shqipëria ka nevojë për rininë që të lulëzojë në çdo cep të saj.