Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një intervistë të dhënë është shprehur se ajo beson se mosmarrëveshjet aktuale të Kosovës me BE-në dhe ShBA-në do të tejkalojnë.
“Nuk mendoj se mosmarrëveshjet mund të anashkalohen duke sulmuar njëri-tjetrin në media, por nëse ulemi dhe flasim. Kanë mbetur për t’u sqaruar disa detaje në lidhje me riorganizimin e zgjedhjeve në veri dhe tërheqjen e forcave policore nga komunat, dy kërkesa këto aktuale të vendeve të Quintit ndaj Kosovës”, u shpreh Osmani.
Për sa i përket zgjedhjeve të reja në katër komunat serbe në veri të Kosovës, Osmani tha se kusht për mbajtjen e tyre është që të sigurohet pjesëmarrja e serbëve. Osmani u shpreh se kanë kërkuar ndihmën e partnerëve në mënyrë që Serbia të mos ndërhyjë në zgjedhjet e parakohshme në 4 komunat.
Sa i përket tërheqjes së forcave policore, ajo tha se Kosova tashmë ka propozuar që të bëhet një vlerësim i përbashkët i sigurisë së bashku me KFOR dhe EULEX, në bazë të të cilit do të bëhet tërheqja. Por ajo theksoi se duhen vijuar përpjekjet e përbashkëta për sundimin e ligjit për të gjetur kriminelët që ushtruan dhunën ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe të tjerëve.
Presidentja e Kosovës ka folur edhe në lidhje me asociacionin e komunave me shumicë serbe.
‘Jemi të gatshëm të bëjmë më shumë për serbët që jetojnë në vendin tonë, që ata të ndihen të barabartë, të dëgjohen dhe të ndihen të përfshirë. Kosova është shtëpia e tyre. Por në të njëjtën kohë, duhet të jemi të kujdesshëm për të shmangur çdo lloj modeli që do të ngjante me Republikën Srpska’, tha Osmani.