Qytetarët në katër komunat në veri të Kosovës, do të votojnë sot nëse duan t’i shkarkojnë kryetarët aktualë komunalë. Qendrat e votimit në Mitrovicë të Veriut, Leposaviç, Zubin-Potok dhe Zveçan u hapen nga ora 7 e mëngjesit. Lista Serbe ka bërë thirrje për bojkotim të këtij votimi. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, në konferencën e parë për media, bëri të ditur se të gjitha vendvotimet janë hapur. Ato do të mbyllen në orën 19:00.
Elezi tha se “mund të ketë pasur ndonjë vonesë teknike në hapjen e ndonjë vendvotimi”, por shtoi se kjo është gjë e zakonshme.
Kryetarët shqiptarë të Zveçanit, Zubin-Potokut, Leposaviçit e Mitrovicës së Veriut i morën mandatet në prill të vitit të shkuar nëpërmjet zgjedhjeve që po ashtu janë bojkotuar nga serbët, me thirrjen nga Lista Serbe. Në votimin e së dielës, qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviçit, Zveçanit e Zubin-Potokut do të kenë mundësi që të vendosin nëse duan që komunat e tyre të drejtohen nga kryetarët aktualë apo jo.
Erden Atiç është kryetar i Mitrovicës së Veriut, Ilir Peci i Zveçanit, Lulzim Hetemi i Leposaviçit dhe Izmir Zeqiri i Zubin-Potokut.