Thirrja “Palestina e lirë” bëri jehonë sërish në disa kampuse në kolegjet amerikane. Këtë herë studentët u mblodhën në Universitetin George Washington në zemër të kryeqytetit amerikan.
Studentë, profesorë dhe aktivistë nga e gjithë zona e Uashingtonit, DC, u mblodhën për të treguar solidaritet me palestinezët në mes të luftës në Gaza dhe për të kërkuar fundin e veprimeve ushtarake të Izraelit në territoret e pushtuara palestineze.
Ndërsa disa studentë hebrenj thonë se janë të shqetësuar për sigurinë e tyre në kampus , administratorët e kolegjeve po përballen me presion në rritje nga ligjvënësit për të frenuar protestat.
Ndërkaq dhjetëra studentë në Paris jashtë Universitetit të Sorbonës i bënë thirrje qeverisë franceze të ndihmojë palestinezët, ku presidenti francez Emmanuel Macron po mbante një fjalim. Të rrethuar nga policia, protestuesit thanë se shpresojnë që këto protesta të kenë të njëjtin ndikim si studentët që demonstrojnë në SHBA.
Presidenti francez Emmanuel Macron gjatë ditëve të fundit ka zhvilluar biseda telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sisi për të diskutuar mënyrat për të shmangur një përshkallëzim në krizën e Lindjes së Mesme.