Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë se ShBA-ja i ka dënuar ashpër sulmet e dhunshme dhe të orkestruara ndaj Policisë së Kosovës mëngjesin e sotëm.
Hovenier u shpreh se Policia e Kosovës ka përgjegjësi të plotë dhe legjitime për zbatimin e sundimit të ligjit në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. ShBA vlerëson koordinimin e vazhdueshëm mes Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it.
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka vizituar në spital policin Alban Rashiti, i cili u plagos sot në orët e para të mëngjesit. Kurti tha se është kryer me sukses heqja e predhës së një granate nga krahu i majtë i policit.
Kreu i qeverisë ka lajmëruar se ka mbledhur Këshillin e Sigurisë në orën 11:00 ku do të diskutojnë vrasjen e policit Afrim Bunjaku dhe plagosjen e policit tjetër.