Ndërron jetë aktori i mirënjohur shqiptar Mirush Kabashi. Lajmi i trishtë u dha nga familjarët e tij mëngjesin e sotëm.
Prej disa ditësh ai ishte i sëmurë, sipas të afërmve të aktorit. Mirush Kabashi është aktor i rreth 100 roleve, në teatër dhe filma. Shpesh ka qenë edhe prezantues i aktiviteteve të shumta artistike. Gjithashtu, Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Ai ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare. E ndërsa një pjesë të jetës së tij ia ka kushtuar edhe teatrit me rolet e tij të larmishme, ku ndër to më i veçanti ka mbetur ai i Sokratit tek “Apollogjia e fundit e Sokratit”. Roli i Sokratit është ndoshta kulmi i tij artistik.
Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër dhe është rritur në Durrës. Origjina e tij është nga Gjakova.
Pasioni për aktrimin u shfaq që në fëmijëri tek artisti. Interpretimi dhe ngjyrimi emocional i roleve e veçojnë Mirush Kabashin. Personazhet e mishëruara nga Kabashi bien në sy për origjinalitet, për elegance. Ai ka spikatur në rolet satirike dhe komike.
Mirush Kabashi është nderuar me disa çmime. Më 1997 në edicionin e nëntë të Festivalit Eksperimental të teatrit të organizuar në Kajro të Egjiptit, Mirush Kabashi është vlerësuar me “Sfinksin e artë” si interpretuesi më i suksesshëm mes njëmijë aktorëve pjesëmarrës nga dyzetegjashtë vende të botës. Mirush Kabashi, i cili në fund të vitit 2014 u nderua me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, më parë kishte titujt “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.