Është ndarë nga jeta sot Lutfi Hoxha, aktori i fundit i plejadës së artë të Teatrit ‘Aleksandër Moisiu’. Hoxha mbylli sytë në moshën 89-vjeçare dhe mbante titullin ‘Mjeshtër i Madh’. Ai ka luajtur në dhjetëra role në teatër dhe filma. Për shumë dashamirës të filmit shqiptar, Hoxha është babai i Tilit në filmin “Shoku ynë Tili’.
Lajmin për ndarjen nga jeta të Lutfi Hoxhës e ka bërë të ditur Teatri “Aleksandër Moisiu”:
“Qofsh i dritës engjëll i mirë e i bardhë. Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga gjiri ynë artistik i xhevahirit të fundit të plejadës së Artë të Teatrit “Aleksandër Moisiu”. Lutfi Hoxha e jetoi këtë jetë në skenë, aty ku dha gjithçka”
Homazhet do të mbahen nesër në Teatrin ‘Aleksandër Moisiu’.