Kryeministrat e Holandës dhe Luksemburgut kërkuan që Kosova t’i përmbahet planit të Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatën në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Kryeministri holandez, Mark Rutte, dhe ai i Luksemburgut, Xavier Bettel, të martën u takuan në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti.
Gjatë një konference për media, Rutte tha se mënyra më e mirë për të shtensionuar situatën është që palët të përmbushin kërkesat e paraqitura nga Bashkimi Evropian, duke shtuar se stabiliteti rajonal është çështje shumë e rëndësishme.
“Sot kemi shprehur brengat tona për rritjen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë dhe Holanda e Luksemburgu tentojnë që përmes dialogut të shtensionet situata dhe të normalizohen raportet mes dy shteteve. Kjo është e rëndësishme jo vetëm për paqen dhe stabilitetin në rajon, por po ashtu për prosperitetin e integrimit drejt BE-së”, tha kryeministri holandez.
Bettel po ashtu bëri thirrje për uljen e tensioneve, duke theksuar se të gjitha palët duan shtensionim.
‘Udhërrëfyesi nga [i dërguari i BE-së për dialogu, Mirosllav] Lajçaku dhe [shefi i diplomacisë së BE-së, Joseph] Borrelli paraqet po ashtu për ne hapat e rëndësishëm për të vazhduar përpara. Ne duhet të shmangim çdo krizë të re të mundshme”, tha Bettel./ Marrë nga REL
Kurti tha se Kosova dëshiron raporte të mira fqinjësore me Serbinë. Kryeministri kosovar tha se për këtë kërkohet që të zbatohet Marrëveshja drejt normalizimit, e arritur më herët gjatë këtij viti.
“Ne dëshirojmë zgjidhje evropiane dhe për këtë e kemi Marrëveshjen Bazë të 27 shkurtit dhe Aneksin e zbatimit të 18 marsit që dëshirojmë të zbatohet në plotni, pa vonesa dhe pa kushte”, tha ai./ Marrë nga REL