Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shpallur 8 shkurtin ditë zie në Kosovë, në nderim të viktimave nga tërmeti në Turqi dhe Siri.
Vendimin ajo e ka njoftuar në rrjetin social Facebook, ku ka shkruar se mendimet dhe lutjet e Kosovës janë për viktimat, të lënduarit dhe të gjithë të prekurit nga tërmeti.
“Përballë tragjedive të tilla duhet të qëndrojmë pranë atyre që kanë nevojë për mbështetje. Dhimbja e popullit turk dhe atij të Sirisë është edhe e jona”, shkruan Osmani.
Osmani tha se tragjedia në Turqi dhe Siri ka shkaktuar trishtim e dhimbje kudo në botë, përfshirë Kosovën, duke zgjuar dhimbje pafund për viktimat e për ata që përjetuan tmerrin e humbën më të dashurit e tyre, por edhe shpresë për ata që ende ndodhen nën rrënoja.
“Teksa kujtojmë viktimat, nderojmë trimërinë dhe qëndresën e atyre që po bëjnë të pamundurën për shpëtimin e çdo jete nën rrënoja. Fuqia shkatërruese e këtij tërmeti ka tronditur zemrat e gjithsecilit, porse mbështetja ndaj njëri- tjetrit në këto ditë tmerri ngjallë shpresën dhe besimin se jeta do të triumfojë”, shtoi ajo.
Sipas shifrave të fundit, mbi 5 mijë persona kanë humbur jetën dhe mbi 22 mijë tjerë janë plagosur si pasojë e dy tërmeteve të fuqishëm në Turqinë jugore. Po ashtu mbi 8 mijë persona deri më tani janë shpëtuar nga rrënojat.