Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, do të jetë në rend dite në takimin e Këshillit Evropian, që po zhvillohet në Bruksel si pjesë edhe e konkluzioneve të këtij takimi të liderëve të BE-së.
Krerëve të shteteve anëtare të BE-së, u ka raportuar për këtë temë edhe kryediplomati i bllokut evropian, Josep Borell. Arritjen e pajtueshmërisë në Ohër, Borell e ka quajtur “status quo të re”, në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, e cila do të mundësojë kalimin nga një fazë e krizave në fazën e zbatimit të marrëveshjes. Përfaqësuesi Borrell kërcënoi të dyja palët që mos të gjejnë justifikime duke i hedhur fajin njëra-tjetrës.
‘‘Marrëveshja duhet të zbatohet menjëherë dhe kush i shmanget pikave të marrëveshjes do të ndëshkohet. Po monitorojmë në mënyrë intensive deklarimet nga Beogradi dhe Prishtina, ata nuk kanë mundësi të zgjedhin’’, u shpreh Borrell.
Në draftin e konkluzioneve që pritet të miratohen nga samiti i BE-së gjendet edhe paragrafi ku Kosovës dhe Serbisë ju kërkohet që të plotësojnë detyrimet për të cilat ranë dakord në aneksin e implementimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve.