Kryetarët e katër komunave me shumicë serbe Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, sot do të nisin punën zyrtarisht në këto komuna. Situata ka qenë e tensionuar edhe gjatë fundjavës, pasi në të gjitha komunat ka pasur prani të forcave të policisë dhe mjeteve të blinduara.
Të premten e kaluar pati tensione për shkak se qytetarët serbë të komunave në veri nuk lejuan që kryetarët shqiptarë të marrin detyrat. Për situatën në veri kanë reaguar edhe bashkësia ndërkombëtare, të cilët kanë bërë thirrje të mos ketë provokime dhe çështjet të zgjidhen me dialog. Kryetarët e komunave veriore janë ftuar sot për një takim nga ambasadori amerikan Hovenier.
Ndërkaq mediat serbe raportojnë se në të gjitha shkollat në veri nuk do të mbahet mësim për shkak të pranisë së policisë së Kosovës nëpër komuna. Ky vendim, siç thuhet, është marrë pas shumë telefonatave dhe mesazheve të prindërve që shprehin shqetësimin dhe frikën e tyre për sigurinë e fëmijëve të tyre, në shkollat në afërsi.
Mëngjesin e sotëm protestues të shumtë janë mbledhur në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, refuzojnë që komunat të drejtohen nga shqiptarë.