Projektligji për agjentët e huaj ka nxjerrë në rrugët e Gjeorgjisë qytetarët të cilët e kundërshtojnë atë. Efektivët e policisë përdorën topa uji dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit të cilët ishin mbledhur jashtë parlamentit të martën vonë dhe në orët e para të së mërkurës.
Pasi u shpërndanë nga parlamenti, rreth dy mijë protestues vazhduan të bllokojnë rrugën kryesore të Tbilisit, duke e bllokuar atë me tavolina kafenesh dhe kosha plehrash. Më herët, efektivët e policisë u konfrontuan fizikisht me protestuesit për të larguar disa protestues që po përpiqeshin të pengonin ligjvënësit të dilnin nga hyrja e pasme e parlamentit.
Projektligji ka rritur përçarjet në vendin e Kaukazit jugor ku opozita, shoqëria civile, personazhe të famshëm por edhe presidenti kritikojnë partinë në pushtet ‘Ëndrra Gjeorgjiane’.
Propozimi, i ashtuquajtur “ligji për agjentët e huaj”, ashpërson rregullat për mediat dhe organizatat që marrin financime të huaja. Opozita e ka cilësuar atë “ligji rus”, duke e krahasuar me një ligj rus të ngjashëm “për agjentët e huaj”, të cilin Kremlini e ka përdorur për të goditur disidentët.