Rezultati që prodhuan zgjedhjet lokale në Bashkinë e Shkodrës, ishte një surprizë e madhe, por dhe një tronditje e fortë politike. Për herë të parë Bashkia e Shkodrës do të drejtohet nga socialistët, pasi kandidati i tyre Benet Beci mposhti në këtë garë kandidatin e koalicionit Bashkë Fitojmë, Bardh Spahia.
Për fitoren e Becit sigurisht që ndikuan shumë faktorë, e para ishte figura e kandidatit i cili njihet si person popullor mes shkodranëve, por edhe mbështetja politike që i dha PS si dhe deputeti Agron Çela.
Gjithashtu një mbështetje të fortë për marrjen e “Kalasë së Shkodrës” i dhanë edhe aleatët e Tom Doshit.
E fundit por jo për nga rëndësia është edhe mbështetja publike që i dha Luiz Ejlli, i cili i ktheu borxhin mikut të tij Benet Beci, i cili e ndihmoi fituesin e Big Brother në momentet kur kishte më shumë nevojë se kurrë, atëherë kur të gjithë e braktisën.
Por mesa duket marrëdhënia Ejlli-Beci duket se nuk do të mbyllet këtu. Zëra pranë kryebashkiakut të ri të Shkodrës flasin se Beci e ka projektuar Luiz Ejllin si bashkëpunëtor në katër vitet e ardhshme. Madje flitet se Luizit do i propozohet pozicioni i nënkryetarit të Bashkisë.
Edhe pse ende nuk dihet se sa realiste mund të jenë këto projekte, të cilit nuk mund të përjashtohen pasi vetë Luizi la të hapur mundësinë e përfshirjes së tij në politikë.
Megjithatë mbetet për tu parë ditët në vijim nëse do të jetë ky momenti i përfshirjes së Luiz Ejllit në politikë, duke u bërë numri dy i Bashkisë së Shkodrës, apo do ta shohim të angazhuar diku tjetër.