Vijojnë kërkimet në lumin Bunë për gjetjen e trupit të Alma Arrazit pasi paraditen e sotme polumbarët gjetën trupin e pajetë të 3-vjeçarit. Trupi i pajetë i 3-vjeçarit u gjet në ujërat e lumit Buna nga forcat speciale, në afërsi të fshatit Oblikë të njësisë Ana e Malit. Operacioni nuk është ndërprerë as gjatë orëve të natës ku polumbarë, forcat e ushtrisë si dhe peshkatarë të zonës kanë kërkuar përgjatë shtratit të lumit. Pasditen e së hënës u gjet trupi i pajetë i vajzës së dytë të familjes. Vajza 8-vjeçare u gjet rreth 100 m larg nga ura e vjetër e lumit Bunë ku dyshohet se 39-vjeçarja dhe tre fëmijët u hodhën në lumë. Pritet ekspertiza mjekoligjore për të parë nëse e mitura ka shenja dhune.
Ndërkohë në shkollën ‘Ndre Mjeda’ në Shkodër ku mësonin dy motrat mëngjesi nisi i trishtë. Shokë dhe shoqet e klasës dhe prindër me lot në sy vendosën lule ndërsa janë shprehur të trishtuar për ngjarjen e rëndë.
Ndërkohë sot babai i tre fëmijëve i akuzuar për dhunë në familje me pasojë vetëvrasjen del sot para gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë. Familjarë të 31-vjeçarit kanë deklaruar se Erdgys Arrazi nuk është person i dhunshëm dhe nuk i ka keqtrajtuar bashkëshorten dhe fëmijët e tij.
Kërkimet në lumin Buna nisën mbrëmjen e së shtunës kur një peshkatar i zonës gjeti trupin e pajetë të vajzës së madhe të familjes. Aksioni është shtrirë edhe në territorin e Malit të Zi pasi mendohet se rrjedha e ujit mund ti ketë çuar trupat përtej kufirit.
Çifti Arrazi kishin 10 vite të martuar dhe kohët e fundit kishin pasur debate ndërsa 39-vjeçarja kishte mësuar se bashkëshorti e tradhtonte.