Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se gjatë kësaj jave, autoritetet do të dorëzojnë aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Siç e dini, ne jemi vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor që po aplikojmë për Bashkimin Evropian edhe pse jemi vendi i parë në këtë rajon për sundimin e ligjit, lirisë dhe demokracisë”, tha Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë të mbajtur më 13 dhjetor.
Sipas tij, ka ardhur koha që statusi potencial kandidat, “që na është njohur shumë kohë më parë, ta kthejmë zyrtarisht në status kandidat, duke kaluar në një fazë të re të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian”.
Më herët gjatë këtij viti, Kosova ka treguar se po përgatitet të aplikojë për anëtarësim në BE.
“BE-ja është vend i paqes, sigurisë, barazisë dhe prosperitetit, andaj edhe Kosova e ka vendin natyrshëm në këtë shtëpi të përbashkët si një vend paqedashës e demokratik”, tha Kurti.