Një ndër festivalet më të mëdha dhe më të ndjekura në Shqipëri, është ai i Këngës Magjike. Por të manxhosh një festival të përmasave relativisht të mëdha nuk është aspak e thjeshtë. Një ndër problemet kryesore në këto lloj kompeticionesh, janë edhe klikimet e këngëve pjesëmarrëse në Youtube. Siç duket, kur kanë mbetur edhe shumë pak javë nga netët gjysmëfinale, për t’u promovuar sa më shumë, këngëtarët po blejnë klikime. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ardit Gjebreas, i cili në njëfarë mënyre i ka paralajmëruar këngëtarët që t’i përmbahen kontratës që kanë nënshkruar:
“Një nga problemet e publikimit të këngëve në YouTube, janë edhe klikimet e blera. Sipas një kontrate të produksionit të Kënga Magjike me artistët pjesëmarrës, janë vetë artistët të cilët publikojnë në kanalet e tyre këngët në YouTube, sipas marrëveshjeve të ndryshme me botuesit që ata preferojnë. Të parët janë ata të cilët janë në dijeni të klikimeve të blera dhe në bashkëpunim me publikuesit e tyre blejnë klikime. Të dytët janë ata të cilët paguajnë para tek publikuesit për promocion të këngës dhe deri këtu nuk ka asgjë të keqe, por publikuesit i bien shkurt, në vend të një strategjie investuese promovimi, i blejnë klikimet (sepse kushtojnë më pak dhe janë më rentabël se sa një fushatë promovimi) Artistët nuk dinë gjë, por njollosen. Me këtë status, do bëja një thirrje për gjithë artistët pjesëmarrës në Kënga Magjike 2022 që të kërkojnë nga publikuesit raporte të vazhdueshme të klikimeve se nga u vijnë, në mënyrë që të parandalojnë blerjen e një gënjeshtre të madhe (siç janë edhe “fansat” nga India dhe Filipinet që po çmenden për këngët shqiptare)”, shkruan ai.