Themeluesi i Top Medias Dritan Hoxha, është dekoruar me titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj. Ky nderim nga kreu i shtetit për vizionarin që transformoi konceptin e medias vizive në Shqipëri, vjen 15 vite pas ndarjes së tij nga jeta.
Si një ëndërrimtar e vizionar i palëkundur, guximtar në krijimtari, inovator e pasionant e cilësoi Begaj themeluesin e Top Medias, që arriti të krijojë një vepër të papërsëritshme për nga dimensionet.
Duke e vlerësuar Top Channel, si televizionin që kishte munguar, Begaj rikujton vitet e para të ngritjes së televizionit të shqiptarëve, që dallohej jo vetëm nga teknologjia e lartë, por mbi të gjitha, nga cilësia e programeve për të gjitha grupmoshat e shoqërisë tonë, mision, i cili vazhdon edhe sot njësoj.
Në ceremoninë emocionuese nga fjalët vlerësuese të kreut të shtetit, drejtuesja e Top Channel, Lori Hoxha, në fjalën e saj falënderuese shprehu me bindje të fortë, se vlerat që Top Media përcjell prej vitesh, do të ruhen me fanatizëm, nder dhe përgjegjësi të plotë, ashtu sikurse Dritan Hoxha e ideoi.