Barcelona mundi Valencian me rezultatin 4-2 në takimin e javës së 33 të La Liga-s. Blaugranat e arrijnë suksesin falë tripletës së Robert Levandovskit dhe rikthehen në vend të dytë.
Nisja ishte e mirë për ekipin e Xavi Hernandez që gjeti golin me Lopez në minutën e 22. Pesë minuta më pas, Duro shënoi golin e barazimit për Valencian. Në të 38, Pepelu i dha avantazhin miqve në stadiumin “Montjuiç”. Por në nisje të pjesës së dytë, Levandovski ishte i papërmbajtshëm, me kundërshtarët me një lojtar më pak.
Ai barazoi në minutën e 49-të. Avantazhi për blaugranat erdhi në minutën e 82-të. Por sulmuesi polak festoi edhe në kohën shtesë. Trajneri i Barcelonës Xavi Hernandez analizoi takimin.
‘Ne e kontrolluam ndeshjen, por bëmë dy gabime që na e komplikuan atë. Na mungoi qetësia! E megjithatë, jam i lumtur dhe i kënaqur që arritëm të kalonim në avantazh! Të gjithë ne duhet që të bëjmë paraqitje më të mira në të tilla ndeshje. Përse vendosa që të qëndroja? Në janar doja, të ikja, më vonë rezultatet ndryshuan. Barcelona ka ulje-ngritje të mëdha’, u shpreh trajneri i Barcelonës.
Barcelona shkon në kuotën e 73 pikëve, dy më shumë se sa Girona në vend të tretë. Sfida e radhës do të jetë vendimtare për të dyja ekipet të cilat do të përballen mes tyre, për të luajtur për vendin e dytë të La Liga-s.