Urdhri i Ministrit të Brendshëm për pajisjen me pasaporta shqiptare për hebrenjtë që ndodheshin në Shqipëri në vitin 1943.
Ishte viti 1943 kur forcat gjermane po vinin në Shqipëri.
Një numër i konsiderueshëm hebrenjsh ndodheshin në territorin shqiptar dhe ishin të rrezikuar nga nazistët gjermanë.
Në atë kohë ishte ministri i Brendshëm Kol Bibë Miraka, i cili e drejtoi këtë dikaster në periudhën maj 1943 – shtator 1943.
Një urdhër i tij i datës 31 gusht 1943 detyronte pajisjen me pasaporta shqiptare për të gjithë hebrenjtë që ndodheshin në atë kohë në territorin e vendit tonë.
Nëpërmjet pasaportave shqiptare ata mund të udhëtonin dhe të gjenin strehë në Italinë e Jugut, një pjesë e çliruar në atë kohë nga forcat aleate anglo-amerikane.
Faik Quku, autori i librit “Qëndrimi shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore” (1941-1944), ka paraqitur disa të vërteta për jetën dhe veprën e Kola Bibë Mirakajt.
Një moment shumë i rëndësishëm në rrëfimet e Qukut është refuzimi që Kol Bibë Mirakaj i bëri shumës së parave që hebrenjtë kishin vendosur t’i jepnin si shpërblim, për kohën kur shpëtoi 2000 prej tyre nga nazistët gjermanë.
“Në verën e vitit 1943 Leon Thuri shkoi në zyrën e Kol Bibë Mirakajt, ministër i Punëve të Brendshme dhe i ofroi atij një shumë napolonash për mbështetjen që u kishte dhënë hebrenjve në kohën kur ishte ministër i pranoi këto para dhe me bujari e dërgoi Leon larg.”
Në atë kohë Kola Biba Mirakaj ndodhej në mërgim në Romë, hebrenjtë që jetonin në Romë e njohën ministrin që i kishte shpëtuar jetën dhe vazhdonin të këmbëngulnin për ta ndihmuar në shenjë mirënjohjeje për ndihmën që u kishte dhënë.
Ishte koha kur Kol Biba kishte tre vjet që jetonte me bamirësinë e një kuvendi françeskan. Megjithatë, ai përsëri refuzoi shumën e parave të ofruara nga hebrenjtë e Italisë.
“Hebrenjtë në Romë i dhanë atij dy shkopinj me copa qelibar në shenjë të mirënjohjes së tyre të pavdekshme. Njëri shkop ishte i zi dhe tjetri ngjyrë kafe. Kushdo që e ka parë Kola Bibën duke ecur me shkop, duhet ta dijë se ishte i njëjti që ia kishin dhënë hebrenjtë në Romë. Ai nuk kishte një tjetër dhe e mbajti me vete deri në fund të jetës.
Shumë shqiptarë janë dalluar për ndihmën që u kanë dhënë hebrenjve në Shqipëri, katolikëve dhe myslimanëve pa dallim feje dhe për këtë arsye Shqipëria njihet si e Drejtë ndër Kombet nga Yad Vashem”, shkruan Quku.
Ja dokumenti përmes të cilit Kol Bibë Mirakaj shpëtoi dy mijë hebrenj. Dokumenti është regjistruar me numër protokolli 9/110 të Ministrisë së Punëve të Brendshme.