Nisja e sezonit veror kërkon që kushtet dhe siguria për pushuesit dhe turistët të jetë të garantuara duke marrë masat e nevojshme. Por jo rrallëherë, pushuesit që vijnë në Shqipëri, përballen me situata të pakëndshme.
Ndotja e deteve u duk se ishte një problem i evituar nga qeveria pasi rastet e raportuara ishin të pakta. Teksa flasim për turizëm të zhvilluar, nuk duhet të harrojmë detyrat që kanë autoritetet për të garantuar një të tillë. Le të rikthehemi te ndotja e deteve, fenomen i cili vijon edhe sot të shqetësojë turistë vendas dhe të huaj, por edhe banorë të zonës.
Një rast vjen nga Kavaja. Pushuesit kanë denoncuar derdhjen e ujërave të zeza në det duke shkaktuar ndotje. Kjo e bën të pamundur që turistët të pushojnë. Ndotja kthehet në shqetësim edhe për banorët e zonës të cilët jetojnë duke thithur ajrin e pakëndshëm.
Edhe në lumin Drin u raportua ndotje e ujit që vjen sërish nga ujërat e zeza. Era e pakëndshme përbën problem për banorët, sidomos gjatë verës.
Ajo çka vlen të përmendet është mungesa e kontrollit nga ana e autoriteteve vendore. Për të garantuar një mjedis të pastër fillimisht duhen ngritur task forca për kontrollin e bregdetit disa muaj para nisjes së sezonit turistik. Pastrimi i ujërave, rërës dhe mjedisit përreth plazhit duhet të garantohet nga autoritetet që sezoni turistik ta gjejë bregdetin gati për të pritur turistët.
Fillimisht duhen ngritur pika kontrolli në çdo zonë bregdetare, me një task forcë për të vlerësuar gjendjen e plazheve nga mbetjet.
Është e nevojshme një paketë sanksionesh edhe për bizneset në mënyrë që të shmangin hedhjen e çdo mbeturine në det. Gjobë 1-5 milionë lekë të vjetra për çdo biznes që hedh mbeturina apo derdh ujërat e zeza në det. Në rast përsëritje gjoba dyfishohet.
Për njerëzit që mbeturinat zgjedhin t’i hedhin në ujërat e deteve e jo në koshat përkatës, fillimisht do të duhet paralajmërim dhe më pas në rast përsëritje gjobë 100-500 mijë lekë të vjetra.
Është i rëndësishëm ndërgjegjësimi i bizneseve që operojnë afër plazheve dhe pushuesve kryesisht, për të shmangur ndotjen dhe pasojat që vijnë duke filluar nga gjallesat që jetojnë në habitat e deri tek ushqimi që ne konsumojmë (peshqit).