Zgjedhjet e fundit lokale provuan se politikanët nuk e duan vendin, janë rastësisht aty dhe i mban më këmbë sistemi.
Ai sistem i ndërvarur, i ndërtuar me duart e atyre që ndërrojnë krah sa herë shtrëngojnë paratë në kurriz të qytetarëve.
Këta të fundit, e kanë bojkotuar prej kohësh zgjedhjen që nuk afron zgjidhje larg vendit, larg kombit, larg atdheut.
Aq më tepër afër gjuhës, afër familjes dhe rrënjëve të tua njësoj si Shqipëria ideale. A ekziston vallë një mundësi e tillë?!
Nëse e përfytyrojmë pse jo…si do të dukej një Shqipëri ideale?
Shumica prej nesh do të pajtoheshin se një Shqipëria ideale është një vend ku të gjithë mund të jetojnë në paqe dhe harmoni, paksa klishe.
Ose një vend ku nuk ka varfëri apo uri dhe ku të gjithë njerëzit kanë mundësinë të arrijnë potencialin e tyre të plotë, pak më pak klishe.
Për fat të keq, nuk ka një përgjigje përfundimtare për këtë pyetje pasi është, të paktën deri në një farë mase, një çështje e opinionit personal.
Disa besojnë se gjendja ideale është ajo ku të gjithë janë të lumtur dhe të kënaqur me jetën e tyre.
Të tjerë mund të mendojnë se gjendja ideale është ajo ku ka harmoni dhe ekuilibër të përsosur midis të gjithë individëve dhe grupeve.
Në fund të fundit, ajo që përbën një shtet ideal varet nga vlerat dhe besimet që ne kemi prioritet.
Por për ta vënë në praktikë teorinë e një Shqipërie ideale, duhet një çetë nacionalistësh dhe intelektualësh.
Preferohet dhe rekomandohet që të dalin nga shtresa e ulët ose e mesme drejt politikës së vërtetë të përfaqësuar, duke shmangur rekomandimet e “atij lart”.
Në mendjen e tyre shtet-formuese duhet të ekzistojë një strukturë trepalëshe për menaxhimin, mbrojtjen dhe prodhimin e të mirave materiale.
Pra, persona që ngarkohen për menaxhimin (përfshi administrimin dhe organizimin ekonomiko-social) të vendit duke nisur nga bankat e shkollës që nxjerrin filizat e parë të burimeve të ardhshme njerëzore e deri te vlerësimi i situatave sipas kohës.
(Sidomos duke marrë shkas nga dyfishimi i pagave të deputetëve, ministrave, gjyqtarëve dhe të nderuarit president).
Persona që marrin përsipër mbrojtjen e vendit duke mos mbetur në varësinë e “të qenit anëtar i NATO-s” por duke filluar nga siguria e brendshme e vendit në përditshmërinë e qytetarëve që më shumë dita-ditës marrin kurajo për vetëgjyqësi (simbol i rënies së shtetit).
Dhe ata persona që shfrytëzojnë në maksimum të mirat materiale që ka Shqipëria, duke nisur nga deti i cili duhet të ketë një ministri përgjegjëse e deri te burimet minerare që i duhen kthyer vendit për t’i nxjerrë të ardhurat që më pas investohen në sektorët e mësipërm.
E këto ide lidhen me një strukturë të drejtë shtetërore, e cila duhet të sigurojë bashkëjetesën e tyre harmonike.
Për t’u ndalur paksa mund të marrim tre shembuj historikë të Shqipërisë.
Ahmet Zogu përfitoi nga lobimi i gabuar (për kohën) demokratik i Fan Nolit për të fituar me mënyrën se si funksiononte shoqëria bajraktare.
Enver Hoxha përfitoi nga makinacionet e propagandës për të vrarë zgjedhjet shumëpartiake e për t’i dhënë jetë një aparati shtetëror që e përjashton kritikën dhe mendimin ndryshe.
Sali Berisha dhe Fatos Nano përfituan nga dëlirësia e post-komunizmit për të shitur politikën evropiane në një vend që ishte shkretuar, vrarë e varfëruar nga politika e gabuar e daljes nga diktatura në “përligjen e të fortit”.
Por kur do përfitojë populli, prirjet epshore të të cilëve mbizotërojnë.
Ata kanë humbur vigjilencën ndaj Shqipërisë dhe rrezikut që po i kanoset identitetit të vendit.
Nëse tek një person mbizotëron virtyti i modestisë dhe një lloj dashurie për rendin dhe disiplinën, atëherë ai mund të jetë pjesë e klasës më të denjë të njerëzve dhe janë ata që duhet të menaxhojnë shtetin.
Për këta bëhet lufta e vërtetë…por nga mund të dalë në sipërfaqe një person i tillë?
Nga mësuesja e papërshtatshme, te fëmija i degdisur pa të ardhme.
Nga kryeministri arrogant, te servili i katandisur pa të shkuar.
Nga polici i frikësuar me të fortin, te krimineli që shëtit krah oficerit për marrëveshjet e pazareve të drogës.
Nga pronarët e tokave që kërcasin çelësat, te bizneset që nuk njohin xhiro ditore por vjedhje shtetërore të përhershme.
Në të gjithë variantet e mundshme, kjo çetë nacionalistësh dhe intelektualësh nuk duhet t’i shohë nevojat e shqiptarëve si kushte politike por gjendje pasiviteti.
Askush s’do t’ia dijë në fund të ditës a bëhet Shqipëria, nëse mësuesja i kalon fëmijën në vitin pasardhës.
Askush s’do t’ia dijë në fund të ditës a bëhet Shqipëria, nëse kryeministri qëndron në pushtet deri sa t’i bjerë mjekra.
Askush s’do t’ia dijë në fund të ditës a bëhet Shqipëria, nëse nuk dallohet kush është polici i lagjes dhe krimineli i pallatit.
Askush s’do t’ia dijë në fund të ditës a bëhet Shqipëria, nëse thjesht bëjmë para – se leku s’ka vlerë, kurse euro-n e zhvleftësuam vetë.
Në sheshin e shesheve, aty ku s’ka ende pallate dhe ngrehina komuniste të pashembura unë ende pyes se cila është Shqipëria ideale.
Kush përgjigjet se nuk ekziston se ka kuptuar pyetjen. Shqipëria ideale se përfshin atë që përgjigjet por vetëm atë që reagon.