Boksierët shkodranë Arjon Kajoshi dhe Nelson Hysa kanë arritur të marrin edhe dy fitore të tjera në boksin profesionist duke i përmirësuar edhe më tepër shifrat e tyre në rrugën drejt majave të kësaj disipline. Pavarësisht temperaturave të larta, në shkallët e pallatit të sportit “Qazim Dervishi” kishte numër të konsiderueshëm tifozësh, ata ia kanë dalë të fitojnë ndaj kundërshtarëve të tyre.
Shkodrani Arjon Kajoshi triumfoi me lehtësi që në raundin e parë ndaj lituanezit Andrejs Volincuks. Falë goditjeve të forta, e ka detyruar kundërshtarin të dorëzohet me Kajoshin që siguron në këtë mënyrë fitoren e tij të shtatë në po kaq takime, prej të cilave pesë me KO.
Vëmendja më e madhe ka qenë natyrisht tek sfida mes Nelson Hysës që ndodhej në ranglistën botërore në vendin e 141-të dhe namibianit Willbeforce Shihepo i renditur në vendin e 212-të. Edhe kjo ndeshje është ndërprerë në raundin e tretë nga arbitri i ringut sepse boksieri afrikan nuk ka arritur dot t’i rezistojë grushteve të Hysës. Për këtë të fundit, kjo ishte fitorja e tij e nëntë në po kaq ndeshje të luajtura dhe e shtata me nokaut teknik.