Sulmuesi suedez ka vendosur të tërhiqet nga futbolli për t’i dhënë kështu fund karrierës 25-vjeçare. 41-vjeçari i konsideruar si një nga sulmuesit më të mirë të të gjithë kohërave ka varur këpucët në gozhdë me ngjyrat e Milanit. Lojtari i tretë më i dekoruar në histori, duke fituar 31 trofe në karrierë ka shënuar 573 gola mes klubeve dhe kombëtares në rreth 1 mijë ndeshje në fushën e lojës.
Zlatan Ibrahimovic i jep lamtumirën futbollit të luajtur, tërhiqet dhe këtë e bën në “San Siro” përballë tifozëve kuqezi më të cilët krijojë një lidhje shumë të fortë. 163 ndeshje, 93 gola me fanellën e “djallit”. Pikërisht në sfidën e fundit të Serie A, Ibra mbylli karrierën mes lotëve.
“Ka ardhur momenti t’i them mirupafshim futbollit, por jo Milanit. Më keni mirëpritur krahëhapur gjithnjë, do të jem milanist gjatë gjithë jetës. Ka qenë një karrierë e gjatë që më ka dhënë forcë, adrenalinë dhe emocione për të vijuar. Kjo ishte dita e fundit si profesionist. Dua të falënderoj Milanin dhe të gjithë ekipet e tjera me të cilat kam luajtur. Dua të falënderoj përfaqësuesen suedeze dhe njerëzit që më kanë ndihur në karrierë. Për të ardhmen nuk kam menduar, të shohim, tani vjen kapitulli i radhës në jetë”, u shpreh Zlatan.
Në karrierën e tij të gjatë, Ibra ka veshur fanellat e Malmo, Ajax, Juventus, Inter, Barcelona, Milan në dy periudha të ndryshme, PSG, Manchester United dhe Los Angeles Galaxy. Zlatan ka fituar 12 herë kampionatin, 8 herë Superkupën, por pa arritur që të ngre lart trofeun e lakmueshëm, Ligën e Kampionëve.