Është zbardhur dëshmia e vrasësit 34-vjeçar, Lekë Vuksani, i cili për një pagesë qiraje ekzekutoi të afërmin e tij të largët, Petrit Vuksani.
Përpara grupit hetimor, Lekë Vuksani është shprehur se ato kishin debatuar shumë herë për pjesën e pagesës së qiranë, por edhe për pagesat e ujit dhe të energjisë elektrike.
Ai tregon se automatiku nuk ka qenë i tiji.
“Me Petritin jemi njohur sepse edhe ai është nga Dukagjini. I kam marrë shtëpinë me qira duke qenë se ndodhej në Angli. Muajt e fundit kemi patur disa debate për qiranë e shtëpisë por edhe për pagesat e ujit dhe të energjisë elektrike. Atë ditë kur ndodhi vrasja Petriti erdhi dhe më nxori nga shtëpia. Unë u ktheva dhe e gjeta vetëm. Aty kemi debatuar dhe në debat e sipër gjeta një automatik që nuk është i imi por i Petritit. Në debat e sipër kam marrë armën dhe e kam qëlluar.”- mësohet të ketë thënë ai.
Nga ana tjetër, gruaja në të cilën shkoi që të fshihet Lekë Vuksani, pas vrasjes së Petrit Vukanit, është shprehur se ai i ishte futur në banesë me armë në dorë e i ka thënë se nuk të bëj asgjë.
“Leka erdhi në banesën time dhe u fut brenda pasi më kërkoi t’i hapja derën. Kur u fut shoh që kishte armën në dorë dhe nuk dija si të veproja. Leka më tha se nuk do të bëj asgjë ndaj mos u tremb, kam ardhur vetëm për të qëndruar këtu. Nuk e dija se çfarë të bëja sepse ishte errësirë. Më tha që të mos tregoj se ndodhej aty deri sa erdhi policia dhe e arrestoi. Pavarësisht se më tha që të mos kem frikë, isha e frikësuar edhe pse gjatë kohës që qëndroi bëri një sjellje normale”, deklaroi gruaja në banesën e të cilës qëndroi për disa orë autori i dyshuar i vrasjes.
Lekë Vuksani vrau dy ditë më parë Petrit Vuksanin, e ndërsa arrestimi i tij erdhi pas disa orësh në kërkim.