Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zbardhur detaje nga takimi i një dite më parë mes saj, presidentit serb Aleksandar Vuçiç nën “dirigjimin” e Francës dhe Gjermanisë. Në një dalje për mediat, Osmani tha se ai takim nuk ishte për negociata, por për të shkëmbim pikëpamjesh. Sipas saj, Vuçiç “vajtonte” dhe vetëm ankohej, duke mos thënë të vërtetën.
“Nuk kisha asnjë plan të takohesha me Vuçiçin. Sigurisht, dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë është i vazhdueshëm në Bruksel…ishte mjaft një insistim që nga mëngjesi nga shumica e liderëve evropian dhe sigurisht, si presidentja e njerëzve të Kosovës dua të tregoj konstruktivitetin që është një virtyt i popullit tonë, të tregojmë vullnetin se mund të flasim me të gjithë…kjo nuk është hera e parë që e gjejmë vetën me Vuçiçin në një takim të tillë. Por më duhet të them se ky takim, i cili ishte një takim me insistimin e presidentit Macron dhe kancearit Scholz, kërkesë e tyre të cilën e respektova duke qenë se janë disa nga aleatët tanë më të afërt, nuk ishte një takim negociues por një shkëmbim pikëpamjesh. Mund të them se Vuçiçi shkëmbeu pamjet, ai vajtonte dhe ankohej dhe sigurisht nuk tregonte të vërtetën që është një virtyt i tij duke qenë ministri i propagandës së Millosheviçit”, tha ajo.
Zgjedhjet e reja kanë qenë një nga kërkesat e qarta që BE u ka kërkuar palëve, ndërkohë u ka bërë me dije se Serbia duhet të marrë pjesë në këtë proces dhe të nis punën për krijimin e Asociacionit, në të kundërtën do kenë pasoja. Këto kanë qenë 3 propozimet e dhëna dje në tryezë, për të cilën BE-ja ka thënë se nëse nuk zbatohen do të ketë pasoja për 2 vendet.