Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e kaluar në Prizren të Kosovës. Disa të rinj kanë shkaktuar një tragjedi teksa po bënin gara me makinat e tyre tip ‘Golf’. Si pasojë e humbjes së kontrollit të njërit prej automjeteve që po garonte, kanë ndërruar jetë 3 persona dhe janë plagosur 3 të tjerë.
Mediat kosovare raportojnë se në aksidentin e rëndë të ndodhur në autostradën “Ibrahim Rugova kanë ndërruar jetë Lordi Syla, Molos Delija dhe Nue Bibaj, të tre të moshës rreth 20 vjeç. Viktimat ishin mbledhur afër autostradës për të ndjekur garën e cila rezultoi fatale për jetën e tyre.
Raportohet se aksidenti u shkaktua nga shoferi i automjetit Arlind Syla, i cili është i afërmi i njërit prej viktimave.
Edhe të plagosurit janë qytetarë të cilët po shikonin nga afër garën, ata ndodhen në spital por nuk dihet ende gjendja e tyre shëndetësore. Policia e Kosovës nuk ka dalë ende në një deklaratë për mediat për të sqaruar më tej detajet e këtij aksidenti që u mori jetën 3 të rinjve.