Era e fortë po krijon probleme në lëvizjen e mjeteve në aksin Lezhë-Laç në urën e Milotit. Shefi i sektorit të qarkullimit rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, Valmir Nikolli u kërkoi drejtuesve të kamionëve që lëvizin pa ngarkesë që të hapin tendat pasi rrezikojnë përmbysjen si pasojë e erës ndërsa shtoi se është rritur gatishmëria dhe po monitorohen të gjitha akset rrugore të vendit. Trafiku në këtë segment i rënduar dhe policia ka apeluar shoferët për kujdes dhe ulje të shpejtësisë.
Më parë disa automjete janë përmbysur në urën e Milotit si pasojë e erërave të forta. Qarku i Lezhës gjithashtu është përfshirë edhe nga reshjet e shumta të dëborës. Situata paraqitet më problematike në Fan të Mirditës ndërkohë që aksi Fan-Xhuxhë është i bllokuar.