Konflikti në Lindjen e Mesme po përshkallëzohet. Së fundmi në Damask janë parë shtëllunga tymi e janë dëgjuar shpërthime.
Garda Revolucionare Islamike e Iranit bëri të ditur, se nga një sulm i Tel Avivit në një ndërtesë të banuar në lagjen Mazzeh, ku ndodhen dhe ambasada të huaja dhe selia e OKB, kanë humbur jetën 4 anëtarë të saj. Kjo ndërtesë përdorej nga këshilltarët iranianë që mbështesnin qeverinë e Presidentit Bashar al-Assad.
Televizioni shtetëror iranian e quajti ngjarjen një sulm “terrorist” nga Izraeli dhe këto vijnë si pasojë e luftës Izrael- Hamas.
Konflikti ka rritur shqetësimet për përhapje të luftës në rajon, sidomos mes rivalëve siç janë Izraeli me Iranin. Teherani gëzon mbështetjen e disa grupeve në Lindje të Mesme, përfshirë Hamasin në Gazë, Hezbollahun në Liban dhe rebelët Huthi në Jemen. Gjithashtu Irani ka dhe mbështetjen e disa grupeve në Irak dhe Siri.