Me vendimin e 9 shatorit (dita kur Lulzim Basha e përjashtoi nga partia për shkak të ‘Non Grata-s), Sali Berisha u shndërrua në fajtorin kryesor për përçarjen e Partisë Demokratike, e cila ndonëse kanë kaluar pothuajse 2 vite, krisja vijon të jetë mjaft e thellë dhe kjo u vërtetua edhe në zgjedhjet vendore. Pas 14 majit, u pa i menjëhershëm ribashkimi i demokratëve për të krijuar opozitën e fortë, e cila i ka munguar vendit e që ka kontribuuar jo pak në arrogancën dhe prepotencën e pushtetit. Mirëpo, cila është kjo zgjidhje?
Në botën e farmaceutikës ka një rregull të thjeshtë që vihet në zbatim e që ndihmon në gjetjen e ilaçit për shumë sëmundje, që është “anti-helmi i helmit, është vetë helmi”. Përtej këtyre lojërave të fjalëve në dukje, thelbi është shumë bazik dhe gjen vend mjaft mirë në situatën politike në të cilën partia më e madhe opozitare në vend po “lëngon” prej kohësh. Sali Berisha është fajtori për këtë problem, por vetë Sali Berisha është zgjidhja e tij. Duket paradoksale, por është një realitet i pamohueshëm dhe shenjat e para i ka dhënë.
Në një dalje për mediat të pak ditëve më parë lideri historik i demokratëve u kujdes të theksonte se në 14 maj të gjithë deputetët e Partisë Demokratike, duke përjashtuar vetëm Lulzim Bashën dhe Enkelejd Alibeajn, janë sjellë mbi norma etike dhe mbi bazën e statutit. Edhe kur përjashtoi Bashën dhe Alibeajn, shumë shpejt e kuptoi se kjo teori e përjashtimin, mund të kishte pasoja, për këtë arsye e korrigjoi “me shpejtësinë e erës”, duke thënë se është mendim i tij, megjithatë nuk mund të përjashtohen kurrsesi nga partia për faktin se statuti nuk e lejon një gjë të tillë. Mirëpo, duke u rikthyer te teza se si mund të bashkohet Partia Demokratike nga Sali Berisha, kjo mund të ndodh nëse palët “lëshojnë pe” ndaj njëra-tjetrës.
Opozita lind nga figurat e reja prandaj kjo mund të jetë bërthama e zgjidhjes së problemit. Lidershipi i ri do duhet të jetë një figurë neutrale që nuk i përket asnjë pale, nga ato “itharët” që kanë qenë të pozicionuar qartë në 2 pole të kundërta nga njëri-tjetri. Thënë ndryshe, me anë të një shembulli konkret, një prej këtyre figurave mund të ishte Majlinda Bregu, një figurë përbashkuese, një demokrate me kontribut brenda Partisë Demokratike, që gëzon respektin elektoratit të djathtë, por edhe vetë deputetëve të kësaj force politike. Ajo që i vjen edhe më shumë në ndihmë është fakti se kur PD-ja ishte në betejën e saj më të zjarrtë, Bregu nuk ka qenë mbështetëse e asnjë PD-je e aq më tepër të përfshihej në vorbullën e akuzave dhe kundër akuzave për njëri-tjetrin, çka do të hidhte poshtë qëndrimet mosbesuese edhe të dyshuesit më të ashpër dhe kritikut më të thekur brenda asaj partie.
Majlinda Bregu mund të jetë një nga emrat e shumtë që mund të ribëjë Partinë Demokratike, pra teoria e një lideri të jashtëm, që nuk vjen nga Kryesia dhe as nga rrethi i ngushtë i deputetëve, por pa dyshim me bindje të djathta, që ka qëllimin e vetëm bashkim dhe jo përçarjen e më tejshme të politikës. Një rol të rëndësishëm duhet të luajë edhe Sali Berisha, i cili padyshim, si demokrati që gëzon shumicën në këtë parti, edhe pas 30 vitesh nga krijimi i saj, duhet të mobilizojë demokratët në mbështetje e X figure “shembull i Majlinda Bregut” (por mund të ketë dhe emra të tjerë). Ai duhet t’i japë fund retorikës së ashpër që vjen me akuza si “të shitur te Rama” apo “kukulla të qeverisë”. Nga ana tjetër, do duhet që të bëjë një hap pas nga dëshira për të marrë drejtimin e partisë, pasi kjo automatikisht do të përkthehej në vetëpërjashtime nga ana e palës që mendon se ai është e shkuara. Nëse synohet një parti për të fituar zgjedhjet, duhet një parti e hapur. Thithja e emrave të rinj, por jo një KOP-i i dytë në PD. PD ka nevojë për një drejtues që të mos jetë më shumë se 35-45 vjeç. Një i ri, me energji dhe vizion të ri, e ndërsa Basha dhe Berisha duhet të bëjnë një hap pas për të “ulur gjakrat” dhe për të çtensionuar situatën.
Berisha duhet të ketë të drejtën për të qëndruar në parti pasi e konfirmoi në 14 maj, se është një rival kryesor për kundërshtarin e përjetshëm Edi Rama, i cili “ia kishte frikën”, për shkak se jo më kot fushata e tij kishte si figurë kryesore atë. Askush të mos mendoj se largimi i Sali Berishës do ishte zgjidhja për bashkim, por vetë Berisha do duhet të reflektojë dhe të qëndrojë në prapaskenë për t’ia lënë skenën një figure të re, por pa përsëritur skenarin e Lulzim Bashës, duke thyer raportin mes “atit dhe birit shpirtëror”….Berisha duhet të imponojë autoritetin e tij te demokratët në zgjidhjen e një lideri të ri, aq më tepër kur Lulzim Basha i ka dhënë sinjalet për rikthim. Kur flasim për imponim e kemi fjalën që të ndikojë te demokratët që të përzgjedhin drejtuesin e ri të PD, e pas kësaj, të tërhiqet që ta lërë cilin do që do fitojë të krijojë një parti të re, që nuk i ngjan kësaj të sotmes. Ky do ishte urdhri i fundit berishian dhe akti i tij final në të mirën e demokratëve. /B.K