Opozita dhe Partia Socialiste gjetën dakordësinë për të miratuar amnistinë penale, e cila pritet të votohet sot në Kuvend, por këtë ‘pakt’ kryedemokrati Lulzim Basha e quan një pazar. Në një postim në rrjetin social Facebook, para nisjes së seancës plenare, ai denoncoi 3 amendamentet e propozuara nga Gazment Bardhi, dikur krahu i tij i djathtë.
Basha thotë se përmes amnistisë do të përfitojnë edhe të dënuarit nga Gjykata e Posaçme, pasi në propozimin e Bardhit përjashtohen vetëm një grup të dënuarish, si zyrtarë të lartë, apo presidenti, kryeministri, ministra, zëvendësministra, deputetë dhe funksionarë të tjerë të lartë të drejtësisë.
Kreu i Partisë Demokratike ka renditur edhe veprat penale në kompetencë të GJKKO-së që sipas tij amnistohen, si zyrtarët e tjerë të lartë dhe të mesëm që të përfitojnë ulje dënimi për veprat penale të korrupsionit apo abuzimit me tenderët, apo edhe gjyqtarë, prokurorë apo persona fizikë të dënuar për korrupsion.
“Ulet dënimi për të korruptuarit e dënuar nga SPAK! Përjashtohen nga amnistia protestuesit kundër korrupsionit dhe kriminalizimit të shtetit”, shkruan Basha.
Më tej Basha shton se nga amendamenti i propozuar nga Bardhi, përjashtohen nga amnistia protestuesit që kanë protestuar kundër korrupsionit qeveritar dhe kriminalizimit të shtetit.