Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se një e mitur 11-vjeçare, e cila është dhunuar nga pesë të dyshuar më 27 gusht në Prishtinë, është dhunuar për më shumë se një vit. Sveçla ka thënë se autoritetet e sigurisë kanë dalë me këto informacione gjatë hetimeve që janë duke u kryer për rastin.
“Përgjatë hetimeve, kemi kuptuar se nuk bëhet fjalë për një rast, fatkeqësisht nuk bëhet fjalë as për dy raste, por bëhet fjalë për më shumë raste të dhunimit të të miturës 11-vjeçare”, tha ai.
Sveçla ka thënë se i ka bërë thirrje shefit të Inspektoratit Policor të Kosovës, që të gjithë hetuesit policorë të përfshirë në këtë rast, të thirren në cilësinë e dëshmitarëve, për të marrë sa më shumë informacione. Sipas ministrit, në këtë rast është përfshirë Prokuroria, Qendra për Punë Sociale dhe Agjencia e Kosovës për Forezikë.
“Të gjitha informatat e deritanishme na tregojnë për dështime të njëpasnjëshme të institucioneve përgjegjëse, për të mbrojtur këtë të mitur, dhe për të identifikuar se çfarë ka ndodhur, por edhe për identifikim të të gjithë dhunuesve, pasi të gjithë nuk janë të arrestuar”, tha ai.
Rastin e dhunimit të 11-vjeçares, institucionet e drejtësisë po e trajtojnë për dy vepra të ndryshme penale. Veç masës së paraburgimit prej 30 ditësh për pesë të dyshuarit për dhunimin e të miturës, e njëjta masë është caktuar edhe për gjashtë të dyshuar tjerë, të cilët siç pretendohet nga institucionet e drejtësisë, në muajin qershor kanë trafikuar, dhunuar dhe shfrytëzuar të miturën për shërbime seksuale./ REL