Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se Gjermania dhe Franca u kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë të mbajnë zgjedhje të reja në komunat në veri të Kosovës.
“Franca dhe Gjermania u kërkuan udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë të organizojnë zgjedhje të reja në rajonet e prekura nga trazirat sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Macron, i cili shtoi se u kërkua që të qartësohen edhe rregullat për zgjedhje.
Nga ana tjetër, presidentja Vjosa Osmani ka konfirmuar se është zhvilluar një takim i shkurtër i përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, mirëpo nuk uy arrit një dakordësi konkrete.
‘Në fund të takimit me Macron dhe Scholz, ata propozuan që të kishte edhe një diskutim joformal me presidentin e Serbisë, natyrisht në takim ishte edhe përfaqësuesit i Lartë i BE-së, Josep Borrell. E kishim një takim të përbashkët diku 10 minuta, ku edhe një herë u dëshmua se Vuçiqi nuk është i interesuar për zgjidhje dhe as për paqe, por në fakt është burimi kryesor i jostabilitetit në gjithë rajonin tonë. Por, unë do të vazhdoj të punoj me partnerët tanë, me Gjermaninë, me Francën, me SHBA-në si aleat yni kyç, por edhe me shtetet e tjera prej disa prej çështjeve që i propozuan edhe presidenti Macron, edhe kancelari Scholz, e që i ka propozuar edhe sekretari i shtetit amerikan, Blinken. Ka mundësi që të gjinden zgjidhje përpara’- tha thënë Osmani.
“Vullnetin e kemi të përbashkët dhe ai është Kosova sovrane dhe e pavarur të jetë e suksesshme në gjithë territorin e saj. Natyrisht asnjëherë duke mos i ikur obligimeve që t’i mbrojmë të gjithë qytetarët, përfshirë edhe pakicën serbe”, ka theksuar Osmani për RTK-në, nga Moldavia, ku ka marrë pjesë në Samitin e dytë të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Kishinau të Moldavisë.
Ajo shtoi se ka një zgjidhje për situatën në veri të vendit, por kjo duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e vendit.
Deri tani në tri komuna e veriut të Republikës së Kosovës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç, raportohet se situata është e qetë.