Thashethemet për të ardhmen e pankinës së Real Madrid sa vijnë e shtohen. Mediat spanjolle kanë nisur të aludojnë për emrin që do pasojë në këtë post, Carlo Ancelottin, i cili ka vendosur të largohet nga ‘Bernabeu’ në fund të sezonit. Xabi Alonso duket më pranë firmës me klubin mbretëror. Por pavarësisht kësaj, akordi mungon dhe shtyrja e një firme mes palëve premton surpriza.
Duke iu referuar raportimeve të Mundo Deportivo, Real Madrid ka hedhur sytë edhe nga një profil që e njeh mjaft mirë ambientin kryeqytetas. Jose Mourinho gjendet mes dëshirave të Florentino Perez. Portugezi nuk po përjeton një moment të mirë te Roma dhe për më tepër është në fundin e kontratës me klubin italian. Mourinho nuk ka marrë ndonjë ofertë rinovimi tek verdhekuqtë dhe kjo shtron një pistë tepër interesante për Real Madrid.
Nga ana tjetër, mediat italiane pranojnë se edhe Al Hilal po punon për të bindur 60-vjeçarin. Për ish-trajnerin e Inter dhe Manchester United, skuadra arabe ka gati 50 milionë euro në sezon. Gjithsesi, në rast se vjen një propozim konkret nga Reali, Mourinho duket më e favorizuar për të qëndruar në Europë dhe shtyrë kështu eksperiencën e tij në Arabinë Saudite. Portugezi ishte në krye të Real Madrid nga viti 2010 deri në 2013, duke fituar tre trofe, kampionatin spanjoll, Kupën e Mbretit dhe Superkupën e Spanjës.